Serwer i përgjigjet letrës së Ahmetit

Maqedonia

Serwer i përgjigjet letrës së Ahmetit

Më: 29 tetor 2024 Në ora: 13:04
Daniel Serwer

Letrën që lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ua dërgoi liderëve rajonal dhe ndërkombëtar, e ka komentuar ish-diplomati amerikan njëherazi edhe profesor në “Xhon Hopkins” në Uashington, Daniel Serwer.

Ai tregon se e ka marrë një letër nga Ahmeti, qëllimi i së cilës, siç thotë Server, është të gjenerojë veprime nga SHBA dhe BE.

Sa i përket gjuhës shqipe Server thotë se nuk ka asnjë dilemë pasi është e rregulluar qartë me Marrëveshjen e Ohrit dhe kjo nuk duhet vënë në dyshim.

“Nuk kam asnjë dilemë për çështjen e gjuhës. Marrëveshja e Ohrit është e qartë për këtë temë. Ajo kërkon që çdo gjuhë e folur nga më shumë se 20% e popullsisë të jetë bashkë-zyrtare me maqedonishten. Nuk e kuptoj se si mund ta vësh në dyshim këtë detyrim pa krijuar më shumë probleme sesa Maqedonia e Veriut tashmë ka. Kjo ishte një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së paqes të vitit 2001. Është e rëndësishme të ruhet”, thotë ish-diplomati Server.

Sa i përket çështjes së përkatësisë etnike në punësime, Server tha kjo ka për qëllim dominimin aktual të maqedonasve në pozitat e larta qeveritare që siç tha, ka shumë shqiptarë që janë me të përgatitur dhe më të kualifikuar se pala maqedonase, ku përmendi zotërimin e dy gjuhëve që sipas tij, kjo duhet të merret parasysh nga qeveria.

“Sigurisht, unë preferoj një sistem të verbër ndaj ngjyrave, të bazuar në merita. Por mospërcaktimi i identifikimit etnik të punonjësve të qeverisë nuk do ta bëjë punësimin e qeverisë të verbër. Emrat ju tregojnë se kush është shqiptar e kush maqedonas. Dyshoj se qëllimi i këtij propozimi është vazhdimi i dominimit aktual të maqedonasve në pozitat e larta qeveritare. Falsifikimi i verbërisë së ngjyrave nuk do të funksionojë. Maqedonia duhet të diversifikojë të punësuarit në sektorin publik për të pasqyruar më plotësisht diversitetin e popullsisë. Unë nuk jam adhurues i kuotave. Por veprimi afirmativ me përparësi kualifikimeve është një proces që mund të prodhojë rezultate të arsyeshme. Shumë shqiptarë kanë një kualifikim që i mungon shumicës së maqedonasve: flasin të dyja gjuhët. Qeveria duhet ta marrë parasysh këtë kur punëson”, shkruan Server në “peacefare.net”.

Çështjen e tretë, që është përfaqësimi i drejtë ne qeveri dhe në lidhje me ankesën e VMRO-së se maqedonasve u janë marrë pozitat, Server e quan më shumë ankesë politike sesa ligjore apo kushtetuese që Server nuk e mohon se, fituesit e zgjedhjeve u përpoqën të dobësojnë praninë e shqiptarëve në pozitat udhëheqëse.

“Çështja e tretë e përfaqësimit të drejtë nuk është specifikuar plotësisht. Unë supozoj se i referohet pozitave që u janë dhënë shqiptarëve etnikë në qeverinë aktuale. Kjo është më shumë një ankesë politike sesa ligjore apo kushtetuese. Një nga ankesat kryesore maqedonase ndaj qeverisë së mëparshme ishte mbizotërimi i shqiptarëve në pozitat kyçe. Fituesit e zgjedhjeve të fundit u përpoqën të dobësonin praninë shqiptare sepse fituan zgjedhjet. Rivalët shqiptarë të BDI-së negociuan marrëveshjen aktuale të koalicionit. Nëse e kanë bërë keq, kjo është çështje për zgjedhjet e ardhshme. Diplomatët amerikanë dhe evropianë mund t’ia tregojnë këtë kryeministrit, por në fakt nuk është një çështje ndërkombëtare”, deklaroi Server.

Për të gjitha këto pyetje të Ahmetit, Server dha përgjigje.

“PO për Ali Ahmetin për çështjen e gjuhës, Jo për qeverinë për çështjen e identifikimit etnik të administratës, dhe Zgjedhësit le të vendosin për çështjen e përfaqësimit të drejtë. Por çfarë ndryshim ka ajo që mendoj unë? Në thelb, këto janë çështje që duhet të vendosen nga qytetarët e Maqedonisë” përfundon Daniel Server.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat