Pas revizionit të brendshëm në Fondin për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT) që e ka iniciuar drejtori aktual Nikolla Dodov, ka rezultuar se në 5 vitet e fundit shuma 3,2 milionë euro është borxh i 60 kompanive që nuk i kanë kryer obligimet ndaj shtetit. Në vend që të shfrytëzonin fondet për realizimin e projekteve, Dodov u shpreh se ato realizuan projekte fantazmë, pa rezultate konkrete, të cilat rezultuan me projekte të dështuara.
Ai hodhi akuza për menaxherët paraprak të kësaj drejtorie, duke shtuar se kanë favorizuar individë të afërt me zyrtarë politikë dhe se janë favorizuar dy qytete, pa përmendur se cilat janë ato kompani, qytete ose persona.
“Periudhën e fundit jemi përballur me parregullsi serioze të punës së Fondit që kanë të bëjnë me një borxh nga ana e Kompanive që nuk i kanë kryer obligimet e tyre ndaj shtetit. Sipas gjetjeve tona, shume e plotë që këto kompani i kanë borxh shtetit e 192.888.642 milionë denarë apo rreth 3.2 milionë euro. Këto mjete të cilat kanë qenë të dedikuar për përkrahje të projekteve zhvillimore dhe inovative kanë qenë të keqpërdorura nga 60 kompani, në vend se të përdorin mjetet për realizim të projekteve, ata kanë zhvilluar projekte fantome”, tha Nikolla Dodov, u.d. në Drejtor në FIZHT.
Por këtë e përgënjeshtron drejtori i kaluar Festim Halili, i cili e drejtoi fondin për dy vjet. Ai thotë se projektet i vëzhgon dhe i kalon komision ndërkombëtar i përbërë nga pesë ekspertë, në mënyrë transparente dhe publike.
“Përzgjedhjen finale e bën komiteti i miratimit të investimit, i cili përbëhet nga pesë ekspertë botëror. Mund të them me plot bindje sepse gjithë ky proces ka kaluar në faza transparente, ku unë si drejtor dhe asnjë nga të punësuarit në FIZhT nuk kanë marrë pjesë në përzgjedhjen e kompanive të cilat do të jenë fituese. unë as nuk kam pas të drejtë ligjore që të përfshihem në procesin e përzgjedhjeve të kompanive”, u shpreh Festim Halili.
Po ashtu, siç informon Dodov, revizioni deri më tani ka konstatuar se 50 institucione private shëndetësore kanë shfrytëzuar mjetet e Fondit për blerjen e pajisjeve mjekësore gjatë krizës së COVID-19, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për shoqëritë tregtare. Këtë e mohon ish-drejtori Halili i cili thotë se thirrja publike për grante të bashkëfinancuara për zhvillim teknologjik për rritje të përshpejtuar ekonomike u është dedikuar ndërmarrjeve dhe institucioneve private shëndetësore, që t’u ndihmohet të njëjtave të modernizohen, sidomos në kohën e pandemisë me Covid-19.