Forcimi i besimit në sistemin gjyqësor, intensifikimi i reformave në lidhje me Bashkimin Evropian dhe plotësimi i ndryshimeve kushtetuese, janë rekomandimet kryesore që përmban Draft Raporti për progresin e Maqedonisë në rrugën drejt BE-së nga “Pakoja e Zgjerimit” të Komisionit Evropian, i cili zyrtarisht duhet të miratohet sot dhe të publikohet sot pasdite.
Krahas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, Raporti thekson nevojën e “zbatimit në mirëbesim” të marrëveshjeve dypalëshe me vendet fqinje, pra Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për Miqësinë, Fqinjësinë e Mirë dhe Bashkëpunimin me Bullgarinë.
Dokumenti bën thirrje për intensifikimin dhe ritmin e reformave në lidhje me qasjen ndaj BE-së, mbi të gjitha për forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e besimit në sistemin e drejtësisë, si dhe kryerjen e hetimeve, ndjekjeve penale dhe përfundimin e proceseve të gjata gjyqësore që lidhen me “persona të profilit të lartë”.
“Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE, mbi të gjitha ato nga grupi i “Vlerave Themelore”, siç janë reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në draft-raport.
Në pjesën e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, kujtojnë se Konferenca e parë Ndërqeveritare BE-Maqedonia e Veriut, e cila shënoi fillimin zyrtar të negociatave për anëtarësim, u zhvillua në korrik të vitit 2022, ndërsa procesi i skriningut për të gjashtë grupet përfundoi në dhjetor 2023.
“Komisioni pret me padurim ndjekje të shpejtë dhe vendimtare të raportit të skriningut mbi grupin e vlerave thelbësore, duke përfshirë në lidhje me udhërrëfyesin e vendit në përputhje me Kornizën Negociuese, me synimin për të hapur grupin e parë sa më shpejt të jetë e mundur, kur plotësohen kushtet përkatëse”, thuhet në Propozim-raportin e KE-së për RMV-në.