Anëtarët e Komisionit për Falje nuk u shkarkuan, por dhanë dorëheqje për arsye personale dhe profesionale, njoftoi presidentja, Gordana Siljanovska-Davkova, pasi anëtarët e mëparshëm të Komisionit për Falje u larguan nga detyra.
Presidentja thotë se janë në diskutime për anëtarët e rinj të Komisionit. Ajo theksoi se kurrë nuk i bën gjërat shpejt.
“Të përfshihen të gjitha profilet, që në përfundim të procesit të faljes, që nis në gjykatë dhe përfundon me nënshkrimin, të jetë i suksesshëm. Bisedojmë me ekspertë, njerëz nga sektori joqeveritar.
Sa i përket takimit, ai ishte caktuar dhe shtyrë disa herë për shkak të ngjarjeve të tjera. Mendoj se është momenti i mirë që të dëgjojmë mendimet e të gjithë anëtarëve të mëparshëm të komisioneve dhe pastaj të shohim se cilat janë përvojat dhe njohuritë e tyre dhe në cilin drejtim duhet të jenë ndryshimet”, tha Siljanovska-Davkova në pyetjet e gazetarëve.
Sipas saj, për disa nga personat kontravers që ishin në listën e fundit të të falurve, janë udhëhequr nga filozofia e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
“Kam besuar dhe besoj se njerëzit janë njerëz edhe kur janë në burg. Ata mund të jenë dehumanizuar në momente të caktuara, por nuk duhet harruar se janë qytetarë, votojnë dhe prandaj kanë të drejtën e faljes. Të gjithë duhet të kenë një shans për socializim dhe risocializim. Gjykata është e detyruar me rastin e krijimit të dosjes për të dënuarin dhe personin që kërkon falje të listojë të gjitha aktet përkatëse. As unë, as Komisioni dhe as Drejtësia nuk jemi organe hetimore”, shtoi Presidentja.