Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale nuk ka qëndrim nëse komunat mund të financojnë Akademinë Shqiptare për Shkencë dhe Art. Kryetari i BNJLV-së, Orce Gjorgievski thotë se do të bisedojë me kolegët për këtë temë.
“Ato ndarje, procese prej të cilave askush nuk ka në përgjithësi asgjë të mirë për të parë, nuk na duhen”, tha Orce Gjorgievski – kryetar i BNJVL-së.
Paraprakisht këshilltarët e LSDM-së paralajmëruan se nuk do të votojnë për buxhetet për vitin 2025 në komunat Tetovë, Gostivar, Çair dhe Zhelinë, nëse janë paraparë mjete për premtimin parazgjedhor të koalicionit VLEN.
“Është shumë më e rëndësishme që të ngremë standardin si komb, kriteret si komb, sesa të diskutojmë për tema të tilla, të inkurajojmë bashkëjetesën”, u shpreh Pero Kostadinov – nënkryetar i BNJVL-së.
Nga ana tjetër, nënkryetari i BNJVL-së dhe kryetari i Çairit, Visar Ganiu, theksoi se ata nuk heqin dorë nga qëllimi. Megjithatë nuk e përjashtojnë mundësinë që në ndërkohë të gjendet zgjidhje tjetër.
“Kur kemi bllokada nga Akademia maqedonase e shkencave, ku ne nuk mundemi atje as që të afrohemi, ne duhet të hapim rrugë tjetër. Ajo rrugë është ndihma nga pushteti lokal, por çdoherë kemi thënë që jemi të hapur për të hapur debat më të gjerë dhe pse jo nesër të gjendet ndonjë model ku do të përfshihet edhe Akademia shqiptare ose të financohet me mjete shtetërore nga pushteti qendror”, deklaroi Visar Ganiu – nënkryetar i BNJVL-së.
Paraprakisht, ministri Zllatko Perinski, theksoi se Ligji për vetëqeverisje lokale nuk lejon që të ndahen mjetet komunale për qëllime që nuk janë pjesë e kompetencave themelore të komunës. Por përfaqësues të Komunës së Çairit u thirrën në Ligjin për veprimtari shkencore-hulumtuese, ku thuhet se veprimtaritë e tilla mund të financohen nga vetëqeverisja lokale.