Ministria e Arsimit dhe Shkencës në RMV njofton se është hartuar projektligji i ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, i cili është ngarkuar në sistemin ENER të qeverisë (Regjistri Kombëtar Elektronik i Rregulloreve).
Me miratimin e tij do të zëvendësohet ligji aktual i vitit 2008.
“Të gjithë qytetarët e interesuar mund të kontribuojnë në miratimin e versionit më të mirë që do të dërgohet në procedurë parlamentare. Projektligji përfshin sugjerime nga shtëpitë botuese në Maqedoni, me përfaqësuesit e të cilave kryesia e Ministrisë së Arsimit dhe Shërbimit Pedagogjik pati një takim pune konstruktiv”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit.
Nga atje shtojnë se ligji i ri duhet të sigurojë prodhimin e teksteve me përmbajtje më cilësore, të zvogëlojë gjasat për gabime si në të kaluarën dhe të thjeshtojë procedurën e prokurimit, në mënyrë që tekstet të dërgohen në shkolla në kohën e duhur.