Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski, sot ka folur për Akademinë Shqiptare, e cila është paralajmëruar se do të themelohet nga VLEN-i dhe do të financohet nga katër komunat shqiptare në RMV.
Perinski tha se Ligji për vetëqeverisje lokale nuk parasheh që komunat të financojnë akademi, ndërsa bëri thirrje që të mos krijohen probleme shtesë.
“Në Ligjin për Vetëqeverisjes lokale thuhet se të ardhurat që i fitojnë vetëqeverisjet lokale duhet t’i shpenzojnë në kuadër të ligjeve. E kam thënë disa herë që Akademia Shqiptare nuk është nën kompetencat e tyre. Për të financuar nga vetëqeverisjet lokale kjo duhet të kalojë në këshill, e a do të kalojë në këshill mbetet të shihet. Ligji e thotë këtë, kemi edhe Inspektorat të Vetëqeverisjes Lokale, e kemi Kushtetutën por do të apeloja që të mos krijojmë probleme aty ku nuk ka”, tha Perinski.
I pyetur për afatin për aplikim për projekte nga komunat për të përfituar mjete nga Qeveria, Perinski tha se afati është deri më 15 nëntor dhe se ka marrë informacione nga kryetari i Komunës së Tearcës se do ta kompletojnë dokumentaionin dhe do të aplikojnë sërish.