Raporti i KE-së: RMV ruan harmonizimin e saj 100 për qind me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së

Maqedonia

Raporti i KE-së: RMV ruan harmonizimin e saj 100 për qind me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së

Më: 1 nëntor 2024 Në ora: 20:08
Ilustrim

Maqedonia e Veriut ka ruajtur harmonizimin 100 përqindësh të saj me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, vlerëson Komisioni Evropian në Raportin e fundit të përparimit të vendit, në klasterin e marrëdhënieve të jashtme, ku janë zhvendosur kapitujt 30 dhe 31 që mbulojnë politikën e jashtme, atë të sigurisë dhe të mbrojtjes dhe marrëdhëniet e jashtme.

“Korniza institucionale që lejon pjesëmarrjen e vendit në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (PPJS) dhe politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes është e vendosur dhe operative. Maqedonia e Veriut ruajti harmonizimin e saj 100 përqindësh me deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë në emër të vendimeve të BE-së dhe Këshillit të BE-së për sanksionet, duke përfshirë të gjitha masat kufizuese të BE-së kundër Rusisë dhe Bjellorusisë në lidhje me luftën agresive ruse kundër Ukrainës. Vendi mori pjesë në Samitin e Paqes në Ukrainë, nikoqire e të cilit është Zvicra, vlerësoi KE.

Në pjesën e marrëdhënieve të jashtme, theksohet se vendet anëtare duhet të jenë në gjendje të zhvillojnë dialogje politike në kuadër të politikës së jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes, të respektojnë deklaratat e BE-së, të marrin pjesë në aktivitetet e BE-së dhe të zbatojnë sanksione dhe masa të dakorduara kufizuese. Shteti, theksohet, vazhdoi të angazhohet në dialog politik me BE-në për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë në të gjitha nivelet. I filloi negociatat për partneritet të sigurisë dhe mbrojtjes me BE-në në pranverën e vitit 2024, në shkurt të vitit 2024, mori pjesë në takimin e dhjetë të drejtorëve politikë BE-Ballkani Perëndimor, e në qershor të vitit 2024, mori pjesë në drekë pune me anëtarët e Këshillit të Punëve të Jashtme.

 

BE-ja, theksohet, ka politikë të përbashkët tregtare ndaj vendeve të treta, bazuar në marrëveshje shumëpalëshe dhe dypalëshe dhe masa autonome. Ekzistojnë edhe rregulla të BE-së në fushën e ndihmës humanitare dhe politikës zhvillimore. Lidhur me politikën e përbashkët tregtare, vendi, siç bëhet e ditur, vazhdoi të koordinojë pozicionet e tij dhe të përafrojë ngushtë politikat e tij me ato të BE-së, duke përfshirë edhe në kuadër të OBT-së, dhe mbështet reformën e OBT-së. Vendi u bë anëtar i plotë i Marrëveshjes së OBT-së për furnizime publike (GPA) më 30 tetor të vitit 2023. Protokolli i pranimit të Marrëveshjes së subvencionit për peshkim u miratua dhe u dërgua në Parlament për ratifikim në dhjetor të vitit 2023. Dispozitat e Marrëveshjes së lehtësimit të tregtisë do të zbatohen plotësisht. Në Raportin vlerësohet se kapaciteti administrativ i Ministrisë së Ekonomisë, e cila është përgjegjëse për politikën tregtare, duhet të forcohet më tej.

Shteti, vlerëson KE-ja, mori pjesë aktive në CEFTA dhe vazhdoi të zbatojë planin e veprimit për zhvillimin e tregut të përbashkët rajonal (CRM) të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vendi ka filluar zbatimin e tre marrëveshjeve në lidhje me zbatimin e CRM-së, të cilat përfshijnë lirinë e lëvizjes me letërnjoftime, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe njohjen e kualifikimeve akademike.

Sistemi për kontrollin e eksportit të mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë është funksional. “Maqedonia e Veriut është në përputhje me legjislacionin më të fundit të BE-së, përkatësisht me Rregulloren (BE) 2021/821 dhe përditësimet e saj vjetore në lidhje me listën e artikujve me përdorim të dyfishtë. Megjithatë, siç shtohet, vendi nuk është as pjesëmarrës e as mbështetës i Grupit të Australisë. Aderimi në Grupin e Australisë do të ishte hap pozitiv drejt harmonizimit me ligjin e BE-së dhe drejt anëtarësimit të ardhshëm në Grupin e Australisë që pritet pas pranimit në BE”, vlerëson KE-ja.

Është vlerësuar se në periudhën raportuese nuk ka pasur negociata për marrëveshje të reja dypalëshe me vendet e treta. Janë në fuqi 38 marrëveshje dypalëshe investuese (BIT), 18 prej të cilave janë me vendet anëtare të BE-së. Gjithashtu vërehet se nuk ka pasur progres në politikën zhvillimore dhe ndihmën humanitare. Vendi është inkurajuar të krijojë kornizë përkatëse të politikave, në përputhje me politikat dhe standardet e BE-së.

Lidhur me masat restriktive të BE-së, konkludohet se sfida kryesore është hendeku kohor ligjor midis harmonizimit dhe mplementimit formal/hyrjes në fuqi. Në legjislaturën e mëparshme, Qeveria parashtroi propozim për ndryshimin e Ligjit për masat kufizuese në Kuvend, por, siç bëhet e ditur, ai nuk është shqyrtuar dhe do të duhet të rivendoset.

Vazhdon bashkëpunimi aktiv i Maqedonisë së Veriut me organizatat ndërkombëtare . Prioritetet e saj në OKB janë në përputhje me prioritetet e rëndësishme të BE-së, duke përfshirë sigurinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe klimës, duke promovuar rolin dhe pjesëmarrjen e grave dhe të rinjve. Plani i dytë kombëtar i veprimit për gratë, paqen dhe sigurinë është në fazën e implementimit, duke përfshirë elemente të tilla si vetëvlerësimi gjinor, plan specifik veprimi gjinor i Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcimi i bashkëpunimit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave. Në vitin 2023, vendi kryesoi OSBE-në dhe kontribuoi në rezultatin e suksesshëm të Këshillit të Ministrave të Organizatës në Shkup. Në këtë kapacitet, ajo ishte nikoqire të konferencave për t’i dhënë fund pashtetësisë, për të luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe përpjekjet për kthimin e pasurisë, si dhe për rezistencën kibernetike. Vendi gjithashtu merr kryesimin e PBEJL për vitin 2023-2024 dhe ishte nikoqir në takimin e ministrave të çështjeve evropiane.

Marrëveshja dypalëshe e imunitetit midis Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara mbetet në fuqi, duke u dhënë qytetarëve amerikanë përjashtime nga juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Në këtë mënyrë, siç theksohet, vendi nuk përputhet me qëndrimet e përbashkëta të BE-së për integritetin e Statutit të Romës ose me parimet udhëzuese përkatëse të BE-së për marrëveshjet dypalëshe të imunitetit. Është e nevojshme, shprehet KE-ja, harmonizimi me opozitën e BE-së.

Për të parandaluar konfliktet, shteti vazhdoi të mbështesë masat dhe dokumentet e BE-së.

Në kontekstin e mospërhapjes së armëve, Maqedonia e Veriut, siç vlerësohet, vazhdoi të zbatojë udhërrëfyesin rajonal 2018 dhe strategjinë e saj kombëtare dhe planin e veprimit 2022- 2024 për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta (AVL). Nevojiten përpjekje të mëtejshme nga vendi për të përafruar legjislacionin e tij me kornizën ligjor të BE-së për AVL-të. Vendi, thuhet më tej, nuk është ende pjesëmarrës në asnjë nga regjimet multilaterale të kontrollit të eksportit. Harmonizimi me Pozicionin e përbashkët të BE-së për kontrollin e eksportit të armëve është në vazhdim, dhe nevojitet punë e mëtejshme në legjislacionin gjithëpërfshirës dhe shkëmbimin ndërshtetëror të informacioneve. Vihet re se shteti është nënshkrues i Marrëveshjes së Tregtisë së Armëve dhe sugjerohet që të punojë në masat ndërshtetërore për zbutjen e rrezikut dhe shkëmbimin e informacioneve.

Raporti thekson më tej se vendi merr pjesë në disa, por jo në të gjitha, marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare të kontrollit të eksportit, duke përfshirë Iniciativën për sigurinë e përhapjes së armëve dhe Kodin e sjelljes së Hagës. Ajo është e përkushtuar të bëhet anëtare e Marrëveshjes së Vasenarit dhe Grupit të Australisë. Vendi ende nuk ka përditësuar strategjinë e tij për të kundërshtuar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe për t’u mbrojtur nga kërcënimet kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore dhe plani i veprimit (2019-2021) për zbatimin e tij. Lidhur me masat e sigurisë, vazhdon të zbatojë Marrëveshjen me BE-në për sigurinë e Informacioneve në lidhje me procedurat për shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara.

Lidhur me Politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes (PSDK), vendi, siç shtohet, vazhdon të marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të kontribuojë ndjeshëm në operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave ushtarake, veçanërisht EUFOR ALTHEA në Bosnjë e Hercegovinë. Forcat e armatosura të vendit gjithashtu marrin pjesë në grupin luftarak HELBROC 2023 të BE-së. Shteti kontribuon në bashkëpunimin rajonal në mjekësinë ushtarake përmes Task Forcës Mjekësore Ballkanike (BMTF).

Për kërcënimet hibride, vendi u bashkua me Qendrën Evropiane të Ekselencës për Luftimin e Kërcënimeve Hibride me qendër në Helsinki në tetor të vitit 2023 dhe po zbaton strategjinë e saj 2021-2025 për ndërtimin e rezistencës dhe trajtimin e kërcënimeve hibride. Vendi promovon bashkëpunimin për shkëmbimin e të dhënave dhe përvojat kombëtare me shërbimet partnere të inteligjencës. Që nga marsi i vitit 2024, është krijuar Këshilli i kryesuar nga Kryeministri dhe një grup pune për të koordinuar aktivitetet që lidhen me anëtarësimin në NATO, duke përfshirë forcimin e rezistencës kundër kërcënimeve hibride. Është harmonizuar me deklaratat e BE-së dhe masat kufizuese në përgjigje të sulmeve kibernetike në vitet 2023 dhe 2024, sipas Raportit të BE-së për përparimin e vendit në rrugën e tij të integrimit evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat