Një shkencëtar nga Maqedonia e Veriut, i cili punonte në Institutin “Biosens”, është në mesin e viktimave në tragjedinë në Novi Sad.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Politika”, bëhet fjalë për 45-vjeçarin Vasko Sazdovski.
Ai ka punuar në institutin në Novi Sad i cili hulumton dhe zhvillon teknologjitë e informacionit për bujqësi.
Këtë informacion për “Politika” e ka konfirmuar drejtori i institutit shkencor, Vladimir Crnojeviq.
Sipas kolegëve të Sazdovskit, Vasko ka punuar këtu pak më shumë se një vit, në qendrën për teknologji sensorë dhe pothuajse çdo fundjavë e ka kaluar në shtëpi në Maqedoni, ku jetojnë gruaja dhe dy fëmijët e tij.
Ai u nis për në rrugën e tij për në shtëpi të premten tragjike, më 1 nëntor.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryeministri Mickoski deklaroi se ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, është në komunikim me kolegun e tij në Serbi, me qëllim që sa më shumë t’i ndihmojë familjes së Sazdovskit dhe t’ua lehtësojë dhimbjen.
Në Novi Sad, nga 2 nëntori, ka tri ditë zie për vdekjen e 14 personave të vdekur.
Banorët e Novi Sadit që nga mëngjesi i sotëm kanë ndezur qirinj para vendit ku ndodhi tragjedia.