Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, deklaroi publikisht se patjetër të ketë përgjegjësi për rastin tragjik të vdekjes së foshnjës 14 muajshe në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, duke potencuar se rekomandimet për masat tashmë janë dërguar në Odën e Mjekëve.
Nga Oda e Mjekëve janë përgjigjur për televizionin Klan Macedonia se për shkak të disa mungesave të mjekëve, procedura për rastin e vdekjes së foshnjës pritet që të përfundojë gjatë javës së ardhshme.
“Në lidhje me rastin që ju intereson, deri më tani në Odën e Mjekëve janë zhvilluar disa takime me anëtarë të organeve të ndryshme. Duke qenë se një pjesë e mjekëve anëtarë të organeve nuk ndodhen në vend këtë javë, presim që e gjithë procedura të përfundojë gjatë javës së ardhshme”.
Foshnja 14 muajshe ndërroi jetë më 5 tetor në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, pasi prindërit me ditë të tëra kishin kërkuar ndihmë nga njëra në klinikën tjetër.
Komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë konstatoi se në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve janë bërë lëshime në vlerësimin për nevojën e hospitalizimit, kurse në Spitalin e Kozles ka patur vlerësim joadekuat të vështirësive respiratore.