Ministri i Mjedisit dhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, thotë se nuk ka logjikë të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare kur ka qeveri të qëndrueshme.
Ai tha se “kjo Qeveri është më e qëndrueshme që nga vitet e 90-ta e deri më tani dhe ka shumicë prej 78 deputetësh”.
“Nga vitet e 90-ta e deri më tani nuk ka pasur një qeverisje më stabile dhe nuk ka pasur shumicë më të madhe se kjo – 78 dhe po rritet dhe me siguri do të kalojë 80 në një kohë të shkurtër, që është dy të tretat e Kuvendit. Ky është koment i mjaftueshëm. Për shtetin dhe për qytetarët, kur ke një shumicë prej 80 deputetësh, është e panevojshme të mendosh për zgjedhje të parakohshme, sepse është vetëm shpenzim për shtetin dhe humbje kohe”, tha Mexhiti i pyetur për zgjedhje të parakohshme.
Sipas Mexhiti, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme nuk është i mirë, sepse së paku gjashtë muaj para dhe pas zgjedhjeve ndalojnë të gjitha procedurat, të gjitha prokurimet publike dhe punësimet.