Shumica parlamentare nuk e ka ndërmend t’ua plotësojë dëshirën partive opozitare që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Ndonëse javën e kaluar kryeministri Hristian Mickoski tha se janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje, ai sot tha se as LSDM e as BDI nuk janë të gatshme.
“VMRO-DPMNE është e gatshme të shkojë në zgjedhje që nesër. Nuk është problemi nëse ne do të shkojmë, por pse të harxhojmë edhe 10 milionë euro para të qytetarëve. Pastaj të ndalet sistemi, të mos zbatojmë reforma me qëllim që LSDM edhe njëherë të përballet edhe me një humbje të madhe”, tha Mickoski.
Bilall Kasami nga VLEN, tha se koalicioni VLEN tanimë ka filluar koordinimet për zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa qëllimi është të garojnë përsëri si koalicion.
“Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për më shumë që kemi një shumicë stabile. Qeveria punon seriozisht në realizim të projekteve të cilat i kemi premtuar në zgjedhje. Në këtë fazë opozita është e çorientuar dhe nuk e di se çfarë zgjedhje do të duhej të kemi”, tha Kasami.
Nga LSDM thanë se 65% e qytetarëve janë të pakënaqur me punën e deritanishme të Qeverisë, ndaj dhe nevojiten zgjedhje të reja, ndërsa nga BDI Qeverinë vazhdojnë ta quajnë si mono-etnike dhe pa legjitimitet.