Dimitrieska-Koçoska: Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë së bashku në BE

Maqedonia

Dimitrieska-Koçoska: Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë së bashku në BE

Më: 7 nëntor 2024 Në ora: 22:43
Gordana Dimitrieska-Koçoska

“Konsideroj se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë së bashku në Bashkimin Evropian, e askush nuk duhet të shkojë më përpara se tjetri”, deklaroi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska për AIM, e cila foli sot gjatë vizitës së saj të punës në Bruksel në panelin “Zgjerimi i Evropës: Me çfarë çmimi dhe me çfarë strukture?” në kuadër të Konferencës “Zërat, Zgjedhjet dhe lidershipi: Pikë kthese për Evropën?” në organizim të think-tenkut “Miqtë e Evropës”.

Ajo theksoi se në panel u shprehën mendime të ndryshme nga folësit, me disa që mbronin zgjerimin gradual të BE-së dhe madje deklaruan se ishte e rëndësishme që pranimi i anëtarëve të rinj të bëhej në bazë të sistemit të meritës.

“Dikur ishim liderë në rajon në drejtim të përmbushjes së detyrimeve tona dhe sot kemi problem, problemin me Bullgarinë, dhe si rezultat i atij problemi, unë shtrova pyetjen se si do ta llogaritnim ose si do ta matnim atë sipas sistemit të meritës. Prandaj, kjo është diçka që duhet të diskutohet më tej, por pranimi duhet të jetë i përbashkët i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht pasi, sërish do të them, kjo është çështje që nuk mund ta masim dhe të themi nëse Maqedonia ka bërë ose nuk ka bërë gjithçka që duhet”, shtoi Dimitrieska-Koçooska.

Ministrja gjithashtu vuri në dukje se si vend që pret të fillojë negociatat me BE-në, po përmbushim detyrimet që na janë dhënë me dinamikë të përshpejtuar, veçanërisht në fushën e Planit për rritjen e Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë pjesë, si Qeveri, ne kemi takime të vazhdueshme, koordinim së bashku me ministrin për Integrim Evropian, në mënyrë që të përmbushim të gjitha detyrimet tona sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të fillojmë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Dimitrieska-Koçoska.

Lidhur me Planin e rritjes për rajonin, ajo theksoi se Ministria e Financave ka përgatitur dokumentacionin e plotë të nevojshëm dhe marrëveshja jonë për Instrumentin e rritjes dhe reformës i është dërguar Komisionit Evropian, pas çka tani pritet përgjigje nëse është e pranueshëm në formë të tillë.

Dimitrieska-Koçoska theksoi se në kuadër të planit të rritjes, Maqedonia duhet të marrë mbi 50 milionë euro në formën e para-financimit, por se pagesa u vonua sepse Serbia kishte bërë pyetje shtesë në lidhje me marrëveshjen e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat