Mickoski shprehet optimist për integrimin evropian pas takimit me Macronin

Maqedonia

Mickoski shprehet optimist për integrimin evropian pas takimit me Macronin

Më: 8 nëntor 2024 Në ora: 22:33
Takimi ndërmjet presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski. Budapest, 7 nëntor 2024.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk zhvilloi takim me presidentin bullgar, Rumen Radev, gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Hungari më 7 nëntor. Megjithatë, ai të premten është kthyer optimist nga Budapesti për integrimin evropian të vendit, sidomos pas takimit dypalësh me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

“Takimi që kryeministri Hristijan Mickoski pati dje [e enjte, 7 nëntor] në Budapest me presidentin francez është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh se Emmanuel Macron është padyshim lideri i Evropës në këtë moment”, tha të premten zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski.

Nikoloski vuri në dukje se situata politike në Gjermani e bën “Macronin lider të padiskutueshëm të Evropës në këtë periudhë”.

“Ai [Emmanuel Macron] është politikani që ka mbështetjen më të lartë dhe mandatin më të qëndrueshëm brenda Bashkimit Evropian nga të gjitha vendet e mëdha anëtare. Fakti që në një konferencë njëditore [Macron] gjen kohë për t’u takuar me kryeministrin e Maqedonisë [së Veriut], mendoj se flet shumë për autoritetin personal që ka kryeministri Mickoski dhe për reputacionin që gëzon Maqedonia[e Veriut]”, shtoi Nikoloski.

Për takimin me Macron kryeministri Mickoski informoi të enjten, duke nënvizuar se kanë diskutuar për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Kurse të premten, gjatë ditës, përmes një video-mesazhi, Mickoski bëri të ditur se në Budapest ka zhvilluar edhe takime tjera dypalëshe, duke mos përmendur emra.

“Do të vazhdojmë të luftojmë për Maqedoninë [e Veriut], në javët, muajt dhe vitet që vijnë. Duhet të kemi sukses. Duhet të jemi aty ku meritojmë dhe kjo është një histori e suksesshme evropiane, dhe vendi ynë është brenda Bashkimit Evropian. Jam edhe më optimist se duhet të jemi dhe do të jemi”, ka thënë Mickoski.

Fillimisht, në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Hungari pritej që nikoqiri, kryeministri hungarez Viktor Orban, të ftonte Mickoskin dhe Radevin në një tryezë të përbashkët për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e procesit të integrimeve evropiane, por zëvendëskryeministri Nikoloski deklaroi se nuk ka informacion për një takim të tillë.

Ndërkohë, në fjalimin e tij në samitin e Komunitetit Politik Evropian, presidenti bullgar, Rumen Radev, theksoi se BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje procesit të zgjerimit. Ai nënvizoi se ky proces do të garantojë sigurinë e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se çdo vend kandidat duhet “të ndërtojë marrëdhënie të mira me fqinjët dhe të përmbushë detyrimet ndërkombëtare dhe vendimet e bllokut.”

Ndërsa autoritetet në Maqedoninë e Veriut janë optimistë për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kandidatja për komisionare për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, mendon ndryshe. Të enjten, gjatë seancës për konfirmimin e kandidaturës së saj, ajo iu përgjigj pyetjeve të eurodeputetëve bullgarë lidhur me ndryshimet kushtetuese - me zbatim të prolonguar - duke thënë se Shkupi duhet të ndryshojë Kushtetutën, siç është premtuar.

“Asgjë më shumë dhe asgjë më pak”, theksoi Kos.

Edhe Komisioni Evropian në raportin e këtij viti, iu referua miratimit të ndryshimeve kushtetuese si një element kyç për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Me gjithë përpjekjet, deri më tani nuk është bërë përparim në miratimin e amendamenteve kushtetuese, për të përfshirë në Kushtetutë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe janë pjesë e kombeve të tjera, si bullgarët, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të Evropës nga 18 korriku 2022, të cilat vendi është zotuar t’i zbatojë”, thuhet në raport.

Për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kushti kryesor për vazhdimin e negociatave me BE-në është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e minoritetit bullgar në të. Deri më tani, ky proces është anashkaluar. Qeveria në Shkup ka propozuar që edhe nëse i bënë ato, të jenë me zbatim të prolonguar, një ide kjo që është përjashtuar nga Bashkimi Evropian.

Kreu i Delegacionit të BE-së në Shkup, Mikalis Rokas, gjatë prezantimit të këtij raporti në Shkup, javën e kaluar, tha se forcat politike në Maqedoninë e Veriut duhet të bashkohen për të zbatuar këto ndryshime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat