Kuvendi nuk diskuton për drejtorin e ASK-së, Bojan Hristovskin

Maqedonia

Kuvendi nuk diskuton për drejtorin e ASK-së, Bojan Hristovskin

Më: 12 nëntor 2024 Në ora: 22:20
Kuvendi

Iniciativa e dorëzuar nga deputetët opozitar të LSDM-së për emërimin sipas tyre joligjor të drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare nuk u debatua në Komisionin për mbikëqyrje u punës së organeve të sigurisë. Pika e vetme e rendit të ditës nuk u pëlqeu deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe kërkuan që në rend dite të shtohen paraprakisht edhe dy pika tjera. Dragan Kovaçki kërkoi që si fillim të shoshitet puna e Agjencisë së Zbulimit.

“Nuk e di cili institucion ka vërtetuar se emërimi është joligjor, por keni marrë të drejtë të vendosni një pikë të tillë në rend dite. Propozoj që pika e parë të jetë mbikqyrje e Agjencisë për Zbulim më 3 dhjetor, ndërsa pika e dytë të jetë vizitë dhe mbikqyrje e Agjencisë për Siguri Kombëtare më 16 dhjetor”, deklaroi Dragan Kovaçki – Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Këtë kërkesë nuk u’a pranoi kryetari i komisionit, Skender Rexhepi.

“Duhet të kemi çertifikatë për këto aktivitete ndërsa unë nuk kam çertifikatë të sigurisë. Mendoj se këto gjëra nuk duhet t’i vendosim në rend dite. Nga momenti kur të kemi çertifikatë, gjithsesi se do të organizohemi dhe do t’i vizitojmë këto institucione së bashku”, tha Skender Rexhepi, Kryetar i komisionit.

Për LSDM-në, ajo që ndodhi në komision ishte thjeshtë lojë e shumicës parlamentare.

“Ajo që pamë sot në seancë të komisionit për mbikqyre mbi punën e Agjencisë për Zbulim dhe Agjencisë për Siguri Kombëtare është dëshmi e pastër se ikin nga përballja me publikun për këtë çështje”, u shpreh Sllavjanka Petrovska, Deputete e LSDM-së.

Lidhur me seancën, reagoi dhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Toni Jarevski. U bëri thirrje deputetëve të LSDM-së që nëse nuk janë të kënaqur me punën e komisionit, mund të ngritin interpelancë kundër Skender Rexhepit, të cilën thotë se do ta mbështesnin. Seanca u ndërpre me kërkesë të kryetarit të komisionit Skender Rexhepi, i cili përsëriti se nuk do të ketë ndryshim të rendit të ditës. Në seancë të komisionit, prezent ishte edhe vet drejtori i ri i ASK-së, Bojan Hristovski. Zgjedhja e tij në krye të shërbimit të sigurisë nxiti reagime në opinion, posacërisht në momentin kur në Komisionin për parandalimin e korrupsionit i denoncua se certifikata e tij e gjuhës angleze është e falsifikuar. Për këtë edhe Prokuroria Publike ka njoftuar se ka hetim në rrjedhë e sipër. Hristovski erdhi në krye të ASK-së me vendim të gjykatës, pasi paraprakisht sipas kryeministrit Hristijan Mickoski largimi i Hristovskit nga ASK-ja kishte prapavijë politikë, duke e akuzuar për një veprim të tillë ish drejtorin Viktor Dimovski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat