“Propozimi i buxhetit për vitin 2025 kryesisht është zhvillimor, i mbështetur nga mjetet e planifikuara për projekte kapitale, projekte komunale, përkrahje të ekonomisë. Buxheti që sjell ndryshim në menaxhimin e financave publike dhe që është vetëm një pjesë e konceptit të ri që po zbatojmë në praktikë, i cili bazohet në konsolidimin fiskal dhe investimet në arritjen e rritjes së përshpejtuar ekonomike”.
Kjo u theksua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në ekspozenë lidhur me Propozimin e buxhetit për vitin 2025 në Komisionin e Financimit dhe Buxhetit.
“Propozimi i buxhetit për vitin 2025 është projektuar për përmbushjen e përcaktimit të konsolidimit fiskal dhe për sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale. Fakt esencial është që vizioni i Qeverisë për vitin e ardhshëm të jetë i bazuar në supozime realiste makroekonomike dhe projeksione fiskale. Njëkohësisht, kjo siguron funksionimin normal të institucioneve dhe shtetit dhe kryerjen e rregullt të detyrimeve. Respektivisht, në krijimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, jemi nisur nga përcaktimi për uljen e deficitit buxhetor, i cili në vitin 2025 është më i ulët për 0.9 p.p. Inkasimi efikas i të ardhurave, përmes luftës kundër ekonomisë gri dhe më e rëndësishmja, efikasiteti në shfrytëzimin e të gjitha mjeteve”.
“Domethënë, pikësynimi ishte që mjetet që inkasohen në të gjitha bazat në Buxhet të viheshin në funksion dhe të jepnin efektet më të mira. Në këtë drejtim, nxiten institucionet që kanë mjetet e tyre t’i zbatojnë dhe t’i shfrytëzojnë ato. Nga 12 nëntori, vlera e mjeteve te shfrytëzuesit buxhetorë është mbi 14 miliardë denarë. Mbi këtë bazë hapëm mundësinë që të financojmë shumë projekte të tjera që sjellin zhvillim”, theksoi ministrja.
Ajo shtoi se koncepti i ri na sjell në një vit në të cilin duhet të vazhdojë stabilizimi i situatës makroekonomike dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike, si dhe përcaktimi në periudhë afatmesme për të arritur norma të rritjes ekonomike mesatarisht prej 5%, si dhe deficit buxhetor dhe borxh publik në përputhje me rregullat fiskale.
“Ky vizion nuk bazohet në listë dëshirash, por bazohet në realizime, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 2024. Rritjen e bazojmë në realizimin real të ciklit të fuqishëm të investimeve, duke u mbështetur në vlerë të lartë të shpenzimeve kapitale në Propozimin e Buxhetit dhe një sërë masash e politikash për realizimin efikas të mjeteve të planifikuara. Krahas investimeve në sektorin publik, komponenti zhvillimor do të përkrahet edhe përmes ciklit të planifikuar të investimeve në sektorin privat, i cili do të përkrahet nga shteti nëpërmjet mjeteve të favorshme të siguruara nga huaja e Hungarisë, si dhe projektet në nivel lokal që do të realizohen nga komunat”, theksoi ministrja dhe shtoi se, rritja e PBB-së është projektuar në 3.7%, ndërsa inflacioni në 2.2%. Propozimi i Buxhetit për vitin 2025 është buxhet ku si veçori shtesë paraqitet fakti se trendi i rritjes së shpenzimeve është më i ulët se trendi i rritjes së të ardhurave, respektivisht me këtë buxhet, të ardhurat janë rritur për 13% dhe shpenzimet për 10% krahasuar me vitin 2024, që në nga ana tjetër, kontribuon në konsolidimin dhe zvogëlimin e deficitit buxhetor për rreth 3.3 miliardë denarë”, theksoi ministrja.
Propozimi i buxhetit parasheh financimin e deficitit buxhetor me huamarrje në tregun vendor dhe ndërkombëtar. Në vitin 2025, shlyerja e principalit të borxhit të jashtëm është 49.3 miliardë denarë, ndërsa në tregun vendor 16.9 miliardë denarë.
Debati për Propozimin e buxhetit në Komisionin e Financimit dhe Buxhetit zgjat 10 ditë, me ç’rast si propozim plotësues dërgohet për shqyrtim dhe miratim në seancën plenare të Kuvendit. Buxheti për vitin 2025 duhet të votohet deri më 31 dhjetor.