Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut ishte temë diskutimi të enjten nga njohës ligjorë, një muaj para se Gjykata Kushtetuese e vendit të vendosë për fatin e tij.
Ish-gjykatësi Nuredin Lloga nga Struga, i cili gjatë viteve '80 punoi si sekretar në Gjykatën e Punës së Bashkuar në Prishtinë, konsideron se miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut në vitin 2018 ishte i pashmangshëm, duke qenë se deri në atë kohë gjuha maqedonase ishte e vetmja gjuhë zyrtare në vend dhe se mungonte një ligj i tillë.
“Ky ligj nuk ishte i përkryer, por me të u shtruan themelet për mbrojtjen dhe realizimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të nevojshme”, tha ai.
Këto komente, Lloga i bëri të enjten në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), në cilësinë e autorit – gjatë prezantimit të një doracaku mbi format e shkresave penale sipas këtij ligji, në gjuhën shqipe.
“Shtytës për këtë doracak, ka qenë pikërisht miratimi i Ligjit për gjuhët, me përdorim të zgjeruar, por pa hequr atë 20 përqindëshin”, tha Lloga duke nënvizuar se edhe në Kosovë ka ligj të ngjashëm, por që përdoret pa kufizime.
Ky ligj ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, bashkë me Balancuesin, i cili u shfuqizua më 9 tetor nga ajo. Të dyja këto çështje u përfshinë në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO-DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut, parti kjo që i kishte kundërshtuar më herët të dyja ligjet.Lënda që lidhet me Ligjin për Gjuhët përfshin 13 iniciativa të parashtruara nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme që prej vitit 2019. Këto iniciativa kontestojnë thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij.
Sipas këtij ligji, i cili hyri në fuqi më 2019, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend.
Kushtetuesja është tani duke e shqyrtuar nenit 9 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili thekson se, në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, si dhe në të gjitha organet, trupat dhe institucionet, zbatohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si dhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabeti i saj.
Shqiptarët përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë prej 1.8 milionë të Maqedonisë së Veriut.
Juristi Enkelej Ajazi, në anën tjetër, tha se tani është e paimagjinueshme që procedurat gjyqësore të zhvillohen në gjuhën shqipe.
Ai shtoi se, sipas dispozitave kalimtare të këtij ligji, të gjitha ligjet që nuk janë në përputhje, duhet të harmonizohen brenda një afati gjashtëmujor.
“Por, një gjë e këtillë nuk ndodhë. Pse? Ka disa arsye. E para është çështja e guximit. Asnjë deri më sot nuk ka guxuar që shkresat t’i bazojë në këto dispozita, duke pasur parasysh që aty mund të ndikojë 'suksesi i atyre' i vlerësuar nga instancat më të larta të gjyqësorit”, shtoi Ajazi.
Çka është Ligji për përdorimin e gjuhëve?
Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit.
Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji. Gjithashtu, ligji siguron përdorimin e gjuhëve të tjera të komuniteteve me përfaqësim më të vogël se 20%.Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, ligji u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë. Si presidenti Ivanov, edhe ata e cilësuan ligjin si antikushtetues.
Tani, pas shtatë vjetësh, gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
A do të shfuqizohet ky Ligj?
Jeton Shasivari, profesor i Kushtetueses dhe njohës i çështjeve juridike, i pranishëm në këtë ngjarje, paralajmëroj se Gjykata Kushtetuese, ka të ngjarë të shfuqizojë të gjithë nenin 9 – të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Aty do të ketë sërish shumë punë për të rregulluar”, tha Shasivari.
Ai kritikoi gjyqtarët, duke thënë se gjykatat e rregullta të Maqedonisë së Veriut që nga viti 1976 e parashohin të drejtën e gjuhës.
“Kjo është kritikë e përgjithshme. Gjyqtarët duke e pasur këtë të drejtë të fituar, dhe duke mos e përdorur, kanë ardhur në situata ku siç e dimë se, Gjykata Kushtetuese është një shumicë destruktive për momentin, etnike, majorizuese... dhe e kanë krijuar kështu momentin që ta shfuqizojnë këtë të drejtë”, theksoi Shasivari, duke u kujtuar juristëve se "të drejtat e fituara nuk mund të shfuqizohen".
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski, ka thënë se nuk kontestohet i gjithë ligji, por vetëm dy – tre dispozita.E për këtë ka reaguar kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në opozitë, Ali Ahmeti.
Ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se dy-tri dispozitat që përmend kryeministri Mickoski do të jenë “fuçi baruti”, po i preku.
“Po u hoq gjuha shqipe nga përdorimi në gjyqësor, prokurori, apo në institucionet e larta të shtetit, do të thotë se gjuha shqipe nuk do të ketë statusin e gjuhës zyrtare. Këto janë gjëra tepër të rrezikshme”, tha Ahmeti më 2 nëntor.
Ndërkaq, kreu i Qeverisë maqedonase vlerësoi se Ahmeti po shfrytëzon retorikë luftarake duke bërë thirrje për trazira, por shtoi, kjo nuk do të ndodh.
Nga koalicionin shqiptarë VLEN, pjesë e Qeverisë, kanë siguruar se gjuha shqipe do të vazhdojë të mbetet zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk duhet të brengoset aspak Ahmeti se nuk rrezikohet gjuha shqipe. Gjuha shqipe vazhdon të jetë zyrtare”, tha të mërkurën njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari.