Uji në Tetovë me erë dhe shije të pazakontë, autoritetet thonë se është i pijshëm

Maqedonia

Uji në Tetovë me erë dhe shije të pazakontë, autoritetet thonë se është i pijshëm

Më: 15 nëntor 2024 Në ora: 15:53
Foto ilustrim

Ditëve të fundit në Tetovë uji i pijshëm sërish ka erë dhe shije të pazakontë, problem ky i cili shfaqet që nga viti 2017 pothuajse çdo vjeshtë në tetor ose nëntor, por autoritetet sigurojnë se uji është i pijshëm.

Sipas Ratko Davidovski nga Qendra e Shëndetit Publik në Tetovë, aroma dhe shija e pakëndshme vjen nga rënia e bimësisë, kryesisht nga gjethet e pemëve që bien në ujërat e lumit në Leshnicë, ku merret uji për ujësjellësin e ri.

“Nuk ka rrezik sepse aroma dhe shija janë kategori subjektive, uji është i sigurt, kush mundet – le ta pijë, kush nuk mundet – të mos e pi. Përvoja e deritanishme e 2017-ës ka treguar se brenda pak ditëve do të zhduket aroma dhe shija subjektive”, tha doktor Ratko Davidovski.

Këtë vit intensiteti është rritur për shkak se ujësjellësi i Tetovës shfrytëzon më shumë ujë nga burimet sipërfaqësore apo lumore.

“Është më intensive sepse sistemi i Leshnicës merr pjesë me 50 për qind në të gjithë ujësjellësin në qytet, duhet të marrë pjesë me 30 për qind, sasitë e tjera të jenë nga burimet e Malit Sharr, por aty sasia është ulur ndjeshëm për shkak të thatësirës së madhe këtë verë”, thotë Davidovski.

Në sistemin e ujësjellësit të Tetovës ka sasi prej 300 litra ujë në sekondë, pra 150 litra nga të dy llojet e burimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat