Mexhiti: Prioritet i qeverisë sonë është rruga drejt BE-së

Maqedonia

Mexhiti: Prioritet i qeverisë sonë është rruga drejt BE-së

Më: 16 nëntor 2024 Në ora: 13:57
Izet Mexhiti

Zëvendëskryeministri i parë dhe lideri i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti ka uruar Shqipërinë për hapat e suksesshme drejt anëtarësimit në BE, ndërsa ka akuzuar qeverinë e kaluar për keqqeverisje duke e humbur kësisoj hapin me Shqipërinë.

“E para na vjen mirë që ka lëviz Shqipëria, e dyta uroj që së shpejti edhe Maqedonia e Veriut t’i bashkëngjitet në këtë rrugë. Ngecja e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim është si rezultat i keqqeverisjes në tetë vitet e kaluara të atyre që sot janë pjesë e opozitës”, deklaroi Mexhiti në intervistën për RTK-në, kumtojnë nga partia e tij si pjesë e koalicionit VLEN.

Sipas Mexhitit një ndër kushtet kryesore që Maqedonia të jetë pjesë e BE-së është futja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës së RMV-së, por edhe reformat në gjyqësi dhe zbatimin e rekomandimeve tjera të komunitetit ndërkombëtar, për të cilat qeveria aktuale po përpiqet që t’i zbatojë.

Ai deklaroi se prioritet i kësaj qeverie mbetet rruga drejt Bashkimit Evropian.

Mexhiti në prag të seancës së përbashkët ndërqeveritare që do të mbahet të hënën e ardhshme në Kosovë, ka folur edhe për të arriturat e koalicionit VLEN si pjesë e Qeverisë.

Sa i përket 100 ditëshit të qeverisë, Mexhiti deklaroi se qeveria e Maqedonisë së Veriut është konform programeve dhe premtimeve dhe se po i zbaton projektet të cilat janë në favor të shqiptarëve.

“Luftë e ashpër po bëhet ndaj biznesit të kazinove për ta reduktuar dukshëm, sepse është i dëmshëm për qytetarët dhe shtetin. Po ashtu po punohet për luftë të pakompromis ndaj korrupsionit që ka ndodhë në të kaluarën edhe pse fjalën e fundit ia lëmë drejtësisë”, tha ai.

Tutje Mexhiti deklaroi se është marr vendim i qeverisë për 35 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar “Nënë Tereza” dhe se të martën do të kalojë vendimi për ta rrumbullakuar sheshin “Skenderbeu” në “Çarshinë e Vjetër” të Shkupit në vlerë prej 20 milionë euro.

“Në këto 100 ditë ka qenë dukshëm fokusi të fuqizimi i decentralizimit që është shtyllë e marrëveshjes së Ohrit dhe se qeveria ka hapur procedurën që në këtë gjysmë viti 100 milionë euro ndahen për projekte komunale që kanë të bëjnë më infrastrukturën dhe ngritjen e standardit jetësor dhe po përgatitet për 250 milionë euro tjera prej janarit deri në mars. Brenda gjashtë muajve shkon në gjysmë miliardë euro shuma për realizimin e projekteve, shumë e cila shkon për komunat në përgjithësi dhe 30 për qind e kësaj shume shkon për komunat dhe vendbanimet shqiptare”, ka thënë Mexhiti.

Sipas tij, decentralizimi për shqiptarët në Maqedoni është dy herë më i rëndësishëm për shkak se ka qenë ideja e marrëveshjes së Ohrit që nëpërmjet fuqizimit të komunave shqiptarët t’i realizojnë shumicën e të drejtave të tyre pa pasur nevojë të drejtohen drejt tek qeveria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat