Gazetarja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, njëherit kryeredaktore e PortAlb në RMV, Elida Zylbeari,thotë se ka paralajmërimin për nënshkrimin e disa memorandumeve mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të RMV-së të hënën në Prishtinë.
‘’Në mbledhjen ndërqeveritare, sipas paralajmërimeve të Qeverisë së RMV-së, pritet të nënshkruhen disa memorandume por, nuk kam hasur në agjendë publike. Sidoqoftë, çështja kyçe është se sa këta memorandume të gjejnë realizim praktik, dhe nuk do të mbeten vetëm në letër. Këtë e themi nga përvoja e deritanishme, ku kemi parë realizim të dobët apo aspak të marrëveshjeve të kësaj natyre mes RMV-së dhe Kosovës sepse kjo nuk është hera e parë që ka mbledhje të tilla’’ thotë ajo.
Gazetarja Zylbeari, e konsideron të rëndësishme edhe pozicionimin e kryeministrit Kurti karshi kryeministrit Mickovski të RMV-së.
‘’Gjithashtu, me rëndësi është se si kryeministri kosovar Kurti do të pozicionohet ndaj kryeministrit të RMV-së i cili fitoi zgjedhjet më fushatë nacionaliste dhe albanofobe, se në çfarë mënyre dhe si ai do t’i adresojë shqetësimet e shqiptarëve në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe si dhe përfaqësimin e tyre nëpër institucione dhe jo vetëm, por edhe në proceset e rëndësishme politike sidomos që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Maqedonisë në BE’’ thotë ajo.
Ajo potencon, se ka gjasa që të ketë edhe manovrime që kryeministri i RMV-së të shfaqet si mik I shqiptarëve.
‘’Sjellja e Kurtit merr një peshë të veçantë duke e pasur parasysh faktin që partia e tij ka përfaqësues në koalicionin qeveritar VMRO-VLEN. Madje, ka gjasa që ky të jetë një manovrim i tyre për ta shfaqur Mickovskin si mik të shqiptarëve që njëkohësisht dhe atë rritet relevanca e koalicionit VLEN para votuesve shqiptarë’’ tha Zylbeari.