Çka tha Kurti për shqiptarët në mbledhjen ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut?

Maqedonia

Çka tha Kurti për shqiptarët në mbledhjen ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut?

Më: 18 nëntor 2024 Në ora: 15:45
Albin Kurti

“Respektimi i të drejtave të qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike, është detyrë edhe e Kosovës, edhe e Maqedonisë së Veriut”, tha kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive u mbajt në Prishtinë.

Sipas Kurtit, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “duhet t’i vështrojmë si vlerë e shtuar”.

Kurti: Respektimi i të drejtave të qytetarëve është detyrë edhe e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i vështrojmë si vlerë e shtuar, si ura të pashembshme të bashkëpunimit më të ngushtë e më të fuqishëm ndërmjet dy republikave tona. Respektimi i të drejtave të qytetarëve pa dallim të përcaktimit kombëtare bazuar në standardet më të mira evropiane, e është detyrë edhe e Kosovës edhe e Maqedonisë së Veriut por edhe angazhim e përkushtim i ynë si dy vende demokratik që aspirojnë anëtarësim në Bashkim Evropian”, tha Kurti.

Fjalimet kryesore në mbledhjen ndërqeveritare u karakterizuan kryesisht për bashkëpunim ekonomik në mes të dy shteteve.

Pas marrjes së pushtetit nga VMRO-DPMNE-ja në Maqedoni të Veriut, janë ngritur shqetësime për respektimin e të drejtave të shqiptarëve atje.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) tash në opozitë, ka shprehur shqetësim për mosrespektim të Marrëveshjes së Ohrit - dokumenti që njihet si kontratë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve.

Reagimet u rriten pas iniciativave për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.

Atje rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga rreth 2 milionë banorë sa numëron shteti.

Për Ligjin për gjuhët, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor të këtij viti.

Diskutimi për të vjen pasi në pushtet atje ka ardhur VMRO-DPMNE, e cila ishte kundër këtij ligji.

Kryetari i BDI-së i ka thënë më herët KosovaPress-it se ekzekutivi kosovar nuk duhet të qëndrojë në heshtje sa i përket shqetësimeve të shqiptarëve.

“Përpjekjet tona historike kanë qenë të përbashkëta, në drejtim të sigurimit të lirisë, ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe në drejtim të statusit politik dhe juridik të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka folur edhe për problemet me të cilat përballen veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kalojnë neper kufirin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij, institucionet shtetërore duhet të bëjnë përpjekje politike e diplomatike, që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL dhe të angazhohen maksimalisht që të mos maltretohen ish-ushtarët e UÇK-së.

Në mbledhjen ndërqeveritare të mbajtur në Prishtinë, Kurti ndër të tjera tha se Maqedonia e Veriut është vend mik me të cilin Kosova është e lidhur jo vetëm përmes gjeografisë por edhe njerëzve e vlerave të përbashkëta.

Derisa ka folur për bashkëpunim në mes të dy vendeve, Kurti ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Kurti: Të mbetemi vigjilent për rreziqet përreth

“Le të mbetemi vigjilent edhe për rreziqet që kemi përreth, ka në rajonin tonë akterë që u shërbejnë fuqive e superfuqive keqdashëse që synojnë ra ndalin progresin dhe të tërheqin rajonin prapa duke mos lejuar që demokracia, të drejtat e njeriut e sundimi i ligjit të jenë vlerat tona themelore ashtu siç ne duam. Andaj është vendimtare që ta mbajmë orientim tonë strategjik të qartë, orientim që përputhet me aspiratat tona të përbashkëta për integrim në NATO dhe BE. Ne besojmë në parimet të cilat qëndrojnë në zemër të NATO-s dhe BE-së, pra të demokracisë, të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit”, ka thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat