Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut duhet të marrë vendim të drejtë për Ligjin për gjuhët “ku s’ka diskriminim dhe as përjashtime për shqiptarët”. Mirëpo, sipas tij, në Maqedoni të Veriut s’mund të thuhet se gjuha shqipe ka qenë gjuhë zyrtare dhe se tash po rrezikohet, “pasi tri dispozitat e ligjit që janë kontestuar në Kushtetuese s’janë zbatuar në të kaluarën”.
Kurti, pas mbledhjes ndërqeveritare me Maqedoninë së Veriut, tha se dallimet ndëretnike nuk shkaktojnë më konflikt në Ballkanin Perëndimor.
Kurti: Duhet të presim vendim të drejtë për Ligjin për gjuhët në Maqedoni të Veriut
“Me çfarë kam kuptuar unë kjo është një çështje e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. Tri dispozitat të Ligjit për përdorimin e gjuhëve janë dërguar tek Komisioni i Venecias. Këto tri dispozita paradoksalisht nuk janë zbatuar në të kaluarën. Tash i përket Gjykatës Kushtetuese që t’i vlerësojë, por duhet të sqarojmë një gjë. S’ka në Maqedoni të Veriut ligj për përdorimin e gjuhës shqipe dhe s’ka pasur as në të kaluarën. Ekziston ligji për përdorimin e gjuhëve që përmend shifrën 20 për qind, por ai nuk është ligj për përdorimin e gjuhës shqipe. Kjo është e para. Në anën tjetër, besoj se të gjithë duhet të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje, i cili nuk bën as përjashtime dhe diskriminim. Po ashtu që respekton shumë gjuhësinë që ekziston në Maqedoni të Veriut, ku popullsia nuk e flet të njëjtën gjuhë. Ju e dini se në Kosovë, ndonëse shqiptarë janë rreth 93 për qind, katër për qind i kemi serb dhe serbishtja është gjuhë zyrtare. Por në Maqedoni të Veriut s’mund të thuhet se ka qenë shqipja gjuhë zyrtare dhe tash po rrezikohet. Kjo nuk është e vërtet”, tha ai.
Ai në konferencë për media së bashku me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kurti: Nuk besoj se dallimet ndëretnike shkaktojnë konflikt
“Nuk besoj se dallimet ndëretnike shkaktojnë konflikt. Mund të ketë qendra politike që për pushtet, hegjemoni, dominim dhe shtypje përdorin dallimet etnike. Por dallimi etnik si i tillë nuk shkakton dallim konflikt. Ne i kemi gjithandej në Ballkan sot duke punuar qytetarë të kombeve të ndryshme duke punuar dhe studiuar me njëri-tjetrin. Nuk besoj se në Ballkanin tonë ka pikëpamje të tilla të cilët do të na bënin dallimet ndëretnike konflikte. Mund të ketë dëshira, por nuk besoj se ka më pikëpamje të etabluara sikur ishin në vitet e 90-ta, kur edhe u eksploduan nga Beogradi zyrtar dallimet ndër-etnike për të shkaktuar luftëra të përgjakshme të cilat synonin të krijonin Serbinë e madhe”, tha ai.
Krahas marrëveshjeve të arritura, Kurti tha se edhe ndërtimi i tunelit që lidhë Prizrenin me Tetovën do të fillojë së shpejti.
Kurti: Ndërtimi i tunelit që lidhë Prizrenin me Tetovën do të fillojë së shpejti
“Sa i përket tunelit, ai pritet të fillojë së shpejti. Marrëveshjet janë miratuar, buxheti është ndarë dhe ka filluar me rrugë nga ana e Kosovë. Ndërtimi i rrugës ka nisur në anën e Kosovës dhe projekti i tunelit pritet të përfundojë së shpejti. Ndërkaq projektin e dizajnit do ta bëjë pala maqedonase. Ne jemi të interesuar që gjithçka të ecë sa më shpejtë dhe sa më mirë”, deklaroi Kurti.
I pyetur për rastin “Mostra”, Kurti tha se ministrat e Drejtësisë së dy vendeve po punojnë në këtë drejtim, mirëpo shtoi se kjo çështje është më shumë ligjore që i përket gjykatave.
Ndërkaq i pyetur se kur do të ketë mbledhje të përbashkët me Shqipërinë, Kurti tha se është i gatshëm për ta mbajtur të njëjtën.
Sipas tij, 58 marrëveshjet e arritura me Shqipërinë nën mandatin e tij po zbatohen pa asnjë problem.
Kurti: Jam i gatshëm që të mbajmë mbledhje edhe me qeverinë e Shqipërisë
“Ne me Republikën e Shqipërisë i kemi mbajtur dy mbledhje. Tash jemi barazuar sepse mbajtën edhe me Maqedoninë e Veriut dy mbledhje. Unë jam i gatshëm dhe interesuar që së më parë të mbajmë edhe një mbledhje me qeverinë e Republikës së Shqipërisë”, shtoi ai.