Të gjitha automjetet zyrtare do të shënohen me targa të veçanta me ngjyra për të shmangur keqpërdorimin e tyre, njoftoi drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP), Ivica Tomovski.
“Ne vendosëm të ketë tabela të veçanta me ngjyra, ndërsa regjistrin paralelisht ta punojmë gjatë gjithë vitit. E kemi miratuar rregulloren dhe tani është në pritje të nënshkrimit të ministrit të Brendshëm. Ato targa speciale janë rreth 6500 për të gjitha automjetet në territorin e gjithë Maqedonisë”, tha Tomovski.
Krahas kësaj, drejtori i SHPPP-së bëri të ditur se do të vendosen linja telefonike ku qytetarët do të mund të raportojnë keqpërdorimin e veturave, për të cilat më pas do të veprohet.
Kryeministri Hristijan Mickoski para dy muajsh kishte paralajmëruar se Qeveria nga buxheti i ardhshëm do të ndajë mjete për rinovimin e parkut të automjeteve në institucionet shtetërore.