Kristof Le Rigoler: Maqedonia e Veriut është anëtare e besueshme e NATO-s

Maqedonia

Kristof Le Rigoler: Maqedonia e Veriut është anëtare e besueshme e NATO-s

Më: 24 nëntor 2024 Në ora: 16:47
Kristof Le Rigole

Megjithëse bashkëpunimi midis Parisit dhe Shkupit ekzistonte edhe para aderimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, anëtarësimi në Aleancë siguron kornizë shtesë për bashkëpunim dhe solidaritet në fushën e mbrojtjes, bën të ditur ambasadori i ri francez në vend, Kristof Le Rigoler, në intervistë për Agjencionin e Lajmeve MIA.

“Maqedonia e Veriut, e cila tani duhet të përmbushë qëllimet e kapaciteteve që rrjedhin nga angazhimi i saj në NATO, mund të mbështetet në marrëdhëniet e saj me Francën dhe ekspertizën e saj ushtarake për të modernizuar armatën e vet, veçanërisht në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Mbrojtjes, të nënshkruar më 14 tetor të vitit 2022. Blerja e sistemeve “Mistral” është shembull konkret i lidhjeve të forta midis dy vendeve tona”, shprehet Le Rigoleri.

Ai shton se aleanca e NATO-s është kornizë që ofron mundësinë për dialog të zgjeruar politik.

“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO gjithashtu lejon dialog të zgjeruar politik mbi politikat e sigurisë, stabilitetin rajonal ose menaxhimin e krizave ndërkombëtare. Dëshiroj të përgëzoj zonjën Radmilla Shekerinska për emërimin e saj si Zëvendës Sekretare e Përgjithshme e NATO-s, e cila ilustron besueshmërinë e Maqedonisë së Veriut si anëtare e Aleancës”, shprehet mes tjerash ambasadori francez.

I pyetur për qëndrimin e Parisit për atë nëse kthimi i Trampit në Shtëpinë e Bardhë do të sillte ndryshim në marrëdhëniet SHBA-Evropë dhe prioritetet e Brukselit, ai vuri në dukje fjalimin e Presidentit francez Emmanuel Makron në samitin e fundit të Bashkësësisë Politike Evropiane dhe mesazhin e tij se evropianët duhet të jenë në gjendje të mbrojnë vetë vlerat dhe interesat e tyre.

“Është koha të ndryshojmë qasjen tonë dhe ta bëjmë pyetjen në mënyrë tjetër. Duhet të ndalojmë së pozicionuari veten si partner më i vogël, shpresat ose frika e të cilit varen nga zhvillimi i politikës amerikane. Presidenti i Republikës, Emanuel Makron, përkujtoi për këtë më 7 nëntor në Budapest, gjatë samitit të Bashkësisë Politike Evropiane. Ne, evropianët, duhet të jemi të gatshëm të mbrojmë interesat dhe vlerat tona, pa pritur që aktorët e tjerë ta bëjnë atë për ne. Kjo është arsyeja pse Franca dëshiron të zhvillojë autonomi të vërtetë strategjike evropiane. Nuk është çështja e vënies në pikëpyetje të aleancave tona, por e forcimit të shtyllës evropiane brenda aleancave tona. Në vend që të komentojmë mbi efektet e mundshme të zgjedhjeve amerikane, le ta përqendrojmë energjinë tonë në ndërtimin e fuqisë dhe unitetit strategjik të Evropës në lidhje me kërcënimet që po bëhen gjithnjë e më të shumta. Maqedonia e Veriut ka rolin e vet në këtë aventurë kolektive”, shprehet ambasadori Le Rigoler.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat