Nënpresidentja bullgare Iliana Jotova thotë se Bullgaria nuk vendos kushte shtesë ndaj Maqedonisë së Veriut, por duhet vetëm të respektohen marrëveshjet e nënshkruara.
“Bullgaria asnjëherë nuk ka devijuar nga korniza e dakorduar dhe nuk ka vendosur kushte shtesë për fillimin e negociatave për anëtarësim evropian me Republikën e Maqedonisë së Veriut, por dëshiron që Shkupi të respektojë marrëveshjet evropiane. Këto nuk janë kërkesa bullgare, por kritere evropiane për anëtarësim, kryesorja e të cilave është mbrojtja e të drejtave të njeriut”, tha Jotova para përfaqësuesit special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saratsin, me të cilin pati një takim në Sofje.
Në bisedë u theksua roli udhëheqës i Bullgarisë në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas mediave bullgare, Jotova theksoi se në vitin 2018, gjatë presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, Bullgaria arriti të rikthejë në agjendën evropiane temën e së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Ajo identifikoi deklaratën e miratuar në Sofje nga samiti BE-Ballkani Perëndimor si një dokument kyç.
Lidhur me rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, Jotova theksoi konsensusin e vendosur të qëndrimit bullgar për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë.
“Ne presim që Shkupi të përmbushë marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2022. Propozimi francez u miratua nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, por edhe nga Maqedonia”, tha Jotova.