Viteve të fundit gjithnjë janë në rritje rastet kur qytetarë të Pollogut, bien në kurthin e mashtruesve. Kështu, mashtrimet në forma të ndryshme nuk kanë të ndalur në rajonin e Pollogut. Për 11 muaj, në territorin e Tetovës dhe Gostivarit, Sektori për Punë të Brendshme ka përgatitur 22 kallëzime penale kundër 20 personave për veprën penale mashtrim dhe dy autorë të panjohur për vepër penale “mashtrim”.
Këto vepra janë evidentuar dhe dorëzuar në gjykatën kompetente, informojnë nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Sipas, policisë, gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, janë ngritur gjithsej 29 kallëzime penale ndaj 18 autorëve të njohur dhe 11 autorë të panjohur.
Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, tregon se dominojnë mashtrimet në rrjetet sociale, mashtrime financiare e kështu me radhë. Pasi qytetarët vërejnë se janë mashtruar dhe nuk mund të kontaktojnë me mashtruesin, të njëjtit denoncojnë rastet në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë.
“Edhe gjatë këtij viti, llojet dhe mënyrat e kryerjes së mashtrimeve është e ngjashme me vitin e kaluar, si mashtrimet kompjuterike, mashtrimet përmes rrjeteve sociale, mashtrimet bankare, mashtrimet gjatë blerjes dhe shitjes dhe lloje të tjera të mashtrimit. Vlen të theksohet se këtë vit nuk janë regjistruar mashtrime me organizimin e rrejshëm të festimeve dhe seminareve të ndryshme, dukuri kjo që ishte më e theksuar vitin e kaluar”, deklaroi zëdhënësi Rexhepi.
Në këtë formë, qytetarët fillimisht japin sasi të konsiderueshme të parave, ndërsa më pas nuk mund të kontaktojnë me personin që u kishte premtuar shërbimin. Nga policia apelojnë që qytetarët të jenë shumë të kujdesshëm kur kontaktojnë me persona të panjohur për sa i përket komunikimit për çështje financiare, porosive të ndryshme online, por edhe pagesave paraprake. Nga policia theksojnë se qytetarët shumë lehtë mund të mashtrohen nga mashtruesit, të cilët duke paraqitur ose fshehur faktet në mënyrë të rreme dhe në mënyrë të paligjshme dëmtojnë financiarisht ata.
“Sektori për punë të Brendshme në Tetovë apelon qytetarët që të kenë kujdes dhe të tregohen vigjilent kur komunikojnë me persona të panjohur, kryesisht kur bëhet fjalë për komunikime fitimprurës, sepse mashtruesit gjithmonë shfrytëzojnë mënyra dhe alternativa të ndryshme për të përfituar dhe nuk kursejnë asnjërin për të arritur qëllimin e tyre”, tha Rexhepi. Nga policia e Tetovës disa herë kanë dalur me rekomandime që qytetarët gjithnjë e më shumë të jenë të kujdesshëm, kurse rikujtojnë se mashtrimi është vepër penale ku parashihet dënim deri në 8 vite burg.