Depolitizimi i administratës publike varet nga vullneti politik i strukturës në pushtet. Jam shumë i bindur se kjo Qeveri në krye me kryeministrin dhe ne si MSHIA do ta dëshmojmë dita-ditës, tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Goran Minçev.
Sipas ministrit Minçev, derisa ekziston vullnet politik dhe zgjidhje ligjore e cila do ta mundësojë këtë, do të zbatohet.
“Pa atë vullnet politik nuk mund të ecim përpara. Ne si qeveri edhe në periudhën e kaluar përmes prizmit të mbajtjes së disa dëgjimeve dhe debateve publike, e kemi shprehur atë çështje si një nga më të rëndësishmet. Pse, sepse në këtë moment jemi përballë një administrate publike pjesërisht jo cilësore, të paarsimuar që shkakton probleme shtesë për sa i përket efikasitetit të administratës publike. Prandaj, në këtë drejtim është vendimtare që t’i përkushtohemi këtij procesi, që është depolitizimi i administratës publike”, theksoi ministri sot pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunimit me ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Jelena Zhariq Kovaçeviq.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha sot se depolitizimi i administratës publike është kyç për efikasitetin dhe transparencën e saj. Ai theksoi se synimi është që administrata publike të jetë shembull i efikasitetit dhe llogaridhënies dhe se do të forcohen mekanizmat e mbikëqyrjes. Lidhja Socialdemokrate u përgjigj se deklaratat e Mickoskit janë fjalë boshe, në kundërshtim me realitetin. Ata pretendojnë se administrata është partiake dhe se personeli kompetent është zëvendësuar nga njerëz të pakualifikuar partiak.
Lidhur me çështjen e shpalljeve për shkurtime të kuadrit në administratën shtetërore dhe bordet drejtuese, ministri u përgjigj se zgjidhjet ligjore janë në proces hartimi.
Ministri theksoi se bëhet fjalë për një projekt të shkurtër pilot që do t’u referohet institucioneve, apo organeve që janë në kuadër të MSHIA-s, ose të lidhura me MSHIA.