Zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti, thotë se projekti për ndërtimin e bazës së asfalltit në Vizbeg nuk do të realizohet, duke shtuar se “reagimet e qytetarëve për ta ndaluar ndërtimin e bazës së asfaltit në Vizbeg, nuk ka rënë në vesh të shurdhur”.
Mexhiti thotë se ky projekt do të ndalohet, pasi është vërtetuar se do të dëmtoj shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin jetësor.
Mexhiti ka shkruar se dje ka vizituar Zonën Industriale të Vizbegut, ku ka takuar sipërmarrësit nga kjo zonë e Shkupit.
“Së bashku diskutuam për sfidat me të cilat përballen, si problemet me rrugën dhe aksesin në zonë, si dhe për çështjen kryesore që ngritën në protestë qytetarët dhe bizneset: ndërtimin e planifikuar të Bazës së Asfaltit. Përforcova qëndrimin tonë se dëgjojmë qytetarët dhe bizneset dhe i informova se kemi anuluar vendimin për ndërtimin e bazës së asfaltit në këtë zonë industriale”.
“Ky vendim u mor duke marrë parasysh argumentet e tyre, të cilat theksojnë dëmet që një aktivitet i tillë do të sillte për shëndetin dhe mjedisin. Ne mbështesim bizneset, por jo me koston e shëndetit dhe natyrës”, ka shkruar Mexhiti.