Përveç atmosferës së bukur me flamujt kuq e zi që u krijua dje në qytetet e Maqedonisë së Veriut me rastin e 28 Nëntorit, u regjistruan edhe incidente të cilat shkaktuan reagime të mëdha në opinion, madje u aktivizuan edhe autoritetet policore.
Në rrjetet sociale u shfaq një video në të cilën shihej se disa të rinj grisën flamurin maqedonas, ndërsa kjo bëri që katër persona të përfundojnë në stacion policor, si dhe katër të tjerë gjithashtu, të cilët u përfshinë në një rrahje.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, sot në konferencë për shtyp tha se janë ndaluar tetë persona, të cilët sipas tij, janë përfshirë në ngjarjet e mbrëmshme gjatë festimit të 28 Nëntorit.
“Tashmë janë arrestuar tetë persona. Katër pjesëmarrës në një përleshje dhe 4 personat e tjerë u arrestuan pasi për ta kemi dyshimin 319 të Kodit Penal, që bën fjalë për nxitje të urrejtjes racore dhe fetare, për të cilën parashikohet dënim me burg prej 1 viti, njëri prej tyre është i mitur dhe tre janë të rinj nga mosha 18 deri në 21 vjeç. Ata tashmë janë ndaluar dhe së shpejti do të dalin para gjykatës. Tashmë është arrestuar personi që grisi flamurin maqedonas pranë një veture të kuqe”, tha ndër të tjera ministri Toshkovski.
Lexo po ashtuToshkovski: Janë ndaluar tetë persona për ngjarjet me flamurin maqedonas
Përveç MPB-së, edhe nga Prokuroria thanë se do të hetojnë ngjarjet dhe do të marrin masat e duhura.
Por, ato që ishin më të zëshme në reagimet e tyre ishin partitë politike. Ata dënuan aktet e përdhosjes së flamujve dhe kërkuan zbardhje të rasteve, por nuk munguan as akuzat. Fillimisht reagoi BDI, prej ku e akuzuan policinë si nxitëse të ngjarjeve të mbrëmshme, duke thënë se ndërhyrja e tyre provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi klimë konfrontimi.
“BDI dënon ashpër ndërhyrjen e paprecedent të policisë gjatë festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar, një ditë me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën. Kjo ndërhyrje, në vend që të ruante rendin publik, provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike. Njëkohësisht, dënojmë aktin individual të djegies së flamurit shtetëror, që erdhi si reagim ndaj ndërhyrjes së panevojshme të policisë. Veprime të tilla nuk përfaqësojnë vlerat e shqiptarëve dhe as aspiratat tona për bashkëjetesë të qëndrueshme dhe respekt të ndërsjellë”.
“Në këtë kontekst, është e papranueshme dhe e turpshme që OBRM-PDUKM dhe forca të tjera politike po përpiqen të shfrytëzojnë këto incidente për të ndërtuar një narrativë të rreme që kriminalizon çdo pozicion shqiptar. Kjo tendencë për të përfaqësuar shqiptarët si mbështetës të agjendave kriminale është një sulm ndaj identitetit dhe dinjitetit tonë kolektiv dhe një përpjekje për të mbuluar agjendën e tyre të korruptuar”, thanë nga BDI.
Gjithashtu u deklaruan edhe nga VLEN, të cilët janë pjesë e Qeverisë. Prej atje thanë se festa masovike nxiti destabilizuesit, ndërsa edhe ata dënuan djegien e flamujve.
“Pas një dite festive si asnjëherë me parë më 28 Nëntor, teksa jehonte kënga e vallja shqipe gjithandej vendit, mesa duket kjo atmosferë festive nuk u shkoi përshtati atyre që u prish rahatia nga karriget e pushtetit. Në fund të ditës u lajmëruan këto qarqe të cilat dëshirojnë destabilizimin e vendit. Jo, se e duan shtetin, por se u mungon pushteti. Koalicioni VLEN dënon ashpër këto akte të papranueshme që kanë ndodhur mbrëmë gjatë festës së Pavarësisë së Shqipërisë, ku janë përdhosur flamujt shtetërorë në mënyrë të turpshme, pamje që janë bërë sot publike nga mediat vendore”.
“Bëjmë thirrje për maturi dhe respekt të ndërsjellë, sepse ndezja e një flamuri është ndezje e marrëdhënieve ndëretnike në këtë shtet. Dhe, kjo gjë nuk i shërben as atyre që i nxisin, pra askujt tjetër, aq më pak qytetarëve. Ndjejmë përgjegjësi dhe apelojmë deri tek të gjithë qytetarët që të tregojnë maturi dhe vendosmëri që të mos bien pre e provokimeve dashakeqe. Mos lejoni të viktimizoheni nga askush e aq më pak nga ata që nuk dëgjonin e shihnin hallet e juaja. Ne besojmë në vetëdijen e lartë të qytetarëve tanë që do të tregohen vigjilent e nuk do të instrumentalizohen nga ata që pas humbjes së pushtetit e kanë humbur edhe rrugën në oborr”, thanë nga VLEN.
Për këto ngjarje u pyet edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili tha se këto ngjarje janë pjesë e planit për destabilizim të vendit.
“E dënoj fuqishëm, prapëseprapë paraqet një akt agresioni, diçka që ne paralajmëruam se do të ndodhte, se kjo lloj tentative përshkallëzimi për të krijuar tensione etnike është dhe do të jetë. Nëse mendoni se është një rast i izoluar, nuk është. Sepse ndërsa drejtësia i afrohet ngadalë kriminelëve, ata do të bëhen më nervozë, më të padurueshëm dhe e vetmja mënyrë për të mbrojtur krimin është kjo. Përgëzoj reagimin me kohë të MPB-së, Byrosë për Siguri Publike, SPB Shkup, pjesëtarëve të MPB-së që nuk lejuan përshkallëzimin, dhe reaguan në drejtim të arrestimit të personave që përdhosën flamurin kombëtar. Ata sot do të dalin para gjykatësit, do të akuzohen sipas nenit 319, ku dënimi me burg është nga 1 deri në 3 vjet burgim”, tha Mickoski.
Ndryshe, mbrëmë në Shkup në shënimin e festës së 28 Nëntorit ka pasur forca të shtuara të policisë, ndërsa atmosfera festive është parë edhe në Tetovë, Kumanovë dhe qytetet tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut.