Prokuroria Themelore Publike Shkup ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për dy personat që të premten kanë kryer grabitje në dyqanin “Neptun” afër stadiumit të qytetit në Shkup.
Dy personat e moshës 21 dhe 27 vjeç dyshohen për veprën e grabitjes nga neni 237 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
“Më datë 29 nëntor, dy të dyshuarit me skuter elektrikë kanë ardhur në dyqanin e produkteve teknologjike “Neptun” pranë stadiumit të qytetit. Ata ishin të maskuar me maska plastike, shalle dhe kapuç në kokë dhe të armatosur me armë, ndërsa një i dyshuar mbante gjithashtu një mjet shpërthyes të improvizuar në formë dinamiti. Dy bashkëautorët kanë hyrë në dyqan, ku në atë moment ndodheshin disa punonjës, klientë të rritur dhe tre fëmijë. Ata i kërcënuan të gjithë me armë dhe eksploziv, dhe njëri nga të dyshuarit qëndroi para derës për t’i penguar ata të largoheshin. I dyshuari tjetër ka hyrë pas banakut nga ku ka marrë paratë nga vaska, më pas duke kërcënuar me armë ka kërkuar nga punonjësit të hapin kasafortën nga ku ka marrë një arkë metalike të kuqe me para dhe kupona me vlerë. Krahas grabitjes dhe kërcënimit me jetë të të pranishmëve, të dyshuarit kanë marrë para në vlerë të përgjithshme prej 556.146 denarë, të pranishmit i kanë tërhequr vërejtjen që të mos lajmërojnë policinë dhe janë larguar nga dyqani”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.
Të dy u ndaluan në afërsi para dyqanit nga efektivët e policisë.