Autobusët e Transportit publik ende qarkullojnë me karburant të marrë hua nga rezervat shtetërore.
Qytetarët brengosen se nuk do të kenë më transport publik, nëse nuk ka prokurim. Disa janë të indinjuar që problemi po zgjidhet në kurriz të tyre.
Kreu i Transportit Publik konfirmoi se llogaria bankare e kompanisë është bllokuar për shkak të një borxhi ndaj furnizuesit të karburanteve. Por sindikata thotë se borxhi është për shkak të faturave të papaguara për transportin e studentëve dhe pensionistëve nga Qeveria dhe me ato mjete do të shlyhet borxhi i karburanteve. Ata sigurojnë se do të ketë karburant për ditët në vijim.
“Transporti publik ka naftë edhe për nesër e pasnesër. Të martën do të hapet tender për naftë dhe unë sinqerisht shpresoj që ky problem i yni dhe shfrytëzuesve të shërbimeve të Transportit publik dhe të punësuarve do të përfundojë.”, tha Miqo Stojanovski nga Sindikata e Punëtorëve të Trafikut.
Policia financiare është duke hetuar dy tenderë të dyshimtë për blerjen e derivateve për Transportin Publik, tha për Radion Evropa e Lirë drejtori Slobodan Ivanovski.
“Është dorëzuar kërkesë deri te transporti publik dhe në bazë të kësaj do të vërtetojmë dhe analizojmë dhe do të shohim se me çfarë parashtrese adekuate do t’ia dorëzojmë Prokurorisë Publike në Shkup, mirëpo konsultimet me prokurorin publik në këtë rast nuk do të lihen anash.”, tha u.d drejtori i policisë financiare, Sllobodan Ivanovski.
Transportuesit privatë arritën marrëveshje me autoritetet e qytetit për t’u kthyer në rrugët e Shkupit. Ata nga e hëna njoftuan se do t’i rikthehen trafikut të qytetit në Shkup.