BDI: Qeveria të ndalojë zbatimin e agjendës ruse për destabilizimin e vendit

Maqedonia

BDI: Qeveria të ndalojë zbatimin e agjendës ruse për destabilizimin e vendit

Më: 3 dhjetor 2024 Në ora: 09:26
Foto ilustrim

BDI nëpërmjet një kumtese për media kërkon që të ndalojë, siç thonë ata, agjendën ruse për destabelizim të vendit. Nga BDI thonë se qeveria po fajëson shqiptarët për krizat që i shkakton vet ekzekutivi, ndërsa theksojnë se kjo po bëhet për të devijuar vëmendjen nga mos-realizimi i ndryshimeve kushtetuese.

“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësim të thellë për politikat e rrezikshme të qeverisë, të cilat jo vetëm që minojnë stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, por edhe përkojnë me një agjendë destabilizuese që i shërben interesave gjeopolitike të Rusisë. Veprimet e fundit të qeverisë, përfshirë fajësimin e shqiptarëve për kriza që i prodhon vet, tregojnë një strategji të qartë që synon dy qëllime: Të shkatërrojë themelet e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të devijojë vëmendjen nga dështimi për të realizuar ndryshimet kushtetuese të domosdoshme për rrugën integruese drejt Bashkimit Evropian”.

“Prania e figurave si zëvendëskryeministri Stoilkovic dhe bashkërendimi i tij me agjendën destabilizuese të politikanëve si Vulin, i njohur për lidhjet e tij të afërta me Kremlinin dhe përpjekjet për të minuar stabilitetin rajonal, është dëshmi e qartë e ndikimit të drejtpërdrejtë të Rusisë në këto zhvillime. BDI thekson se shqiptarët kanë qenë gjithmonë garantues të stabilitetit dhe promovues të proceseve euro-atlantike në Maqedoninë e Veriut”.

“Përpjekjet për t’i portretizuar ata si faktor destabilizues janë të pabaza dhe kanë për qëllim të maskojnë dështimet e qeverisë dhe orientimin e saj drejt agjendave të huaja. I bëjmë thirrje qeverisë që të ndalojë menjëherë këtë kurs të papërgjegjshëm dhe të japë llogari publike për motivet dhe pasojat e këtyre politikave.
Shqiptarët nuk do të bien pre e këtyre provokimeve të qëllimshme dhe do të vazhdojnë të mbrojnë stabilitetin, paqen dhe rrugën euro-atlantike të
vendit”, thonë nga BDI.

Gjithashtu, ata u bëjnë thirrje faktorit ndërkombëtar të ndjekë nga afër këto zhvillime dhe të ndërhyjë për të parandaluar që siç thonë, agjendat destabilizuese të shkaktojnë dëme të pariparueshme për vendin dhe rajonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat