BDI nëpërmjet një kumtese për media kërkon që të ndalojë, siç thonë ata, agjendën ruse për destabelizim të vendit. Nga BDI thonë se qeveria po fajëson shqiptarët për krizat që i shkakton vet ekzekutivi, ndërsa theksojnë se kjo po bëhet për të devijuar vëmendjen nga mos-realizimi i ndryshimeve kushtetuese.
“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësim të thellë për politikat e rrezikshme të qeverisë, të cilat jo vetëm që minojnë stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, por edhe përkojnë me një agjendë destabilizuese që i shërben interesave gjeopolitike të Rusisë. Veprimet e fundit të qeverisë, përfshirë fajësimin e shqiptarëve për kriza që i prodhon vet, tregojnë një strategji të qartë që synon dy qëllime: Të shkatërrojë themelet e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të devijojë vëmendjen nga dështimi për të realizuar ndryshimet kushtetuese të domosdoshme për rrugën integruese drejt Bashkimit Evropian”.
“Prania e figurave si zëvendëskryeministri Stoilkovic dhe bashkërendimi i tij me agjendën destabilizuese të politikanëve si Vulin, i njohur për lidhjet e tij të afërta me Kremlinin dhe përpjekjet për të minuar stabilitetin rajonal, është dëshmi e qartë e ndikimit të drejtpërdrejtë të Rusisë në këto zhvillime. BDI thekson se shqiptarët kanë qenë gjithmonë garantues të stabilitetit dhe promovues të proceseve euro-atlantike në Maqedoninë e Veriut”.
“Përpjekjet për t’i portretizuar ata si faktor destabilizues janë të pabaza dhe kanë për qëllim të maskojnë dështimet e qeverisë dhe orientimin e saj drejt agjendave të huaja. I bëjmë thirrje qeverisë që të ndalojë menjëherë këtë kurs të papërgjegjshëm dhe të japë llogari publike për motivet dhe pasojat e këtyre politikave.
Shqiptarët nuk do të bien pre e këtyre provokimeve të qëllimshme dhe do të vazhdojnë të mbrojnë stabilitetin, paqen dhe rrugën euro-atlantike të vendit”, thonë nga BDI.
Gjithashtu, ata u bëjnë thirrje faktorit ndërkombëtar të ndjekë nga afër këto zhvillime dhe të ndërhyjë për të parandaluar që siç thonë, agjendat destabilizuese të shkaktojnë dëme të pariparueshme për vendin dhe rajonin.