Pas shumë vitesh, këtë vit për herë të parë kemi mundësinë që si shtet të arrijmë një fluks të investimeve të huaja direkte deri në një miliard euro, tha sot zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
“Investimet e huaja direkte në Maqedoni në periudhën janar – shtator kanë arritur 838 milion euro që është një rritje prej 348 milion euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe një rekord bindës në 20 vitet e kaluara. Të dhënat tregojnë se vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti fluksi i investimeve të huaja direkte në Maqedoni arriti në 281 milionë euro”, tha Miteva në konferencën për mediat.
Një fluks i tillë, shtoi ajo, është për shkak të stabilitetit ekonomik dhe politik të cilën ne e prezantojmë si qeveri, parashikueshmërisë dhe stabilitetit që kanë kompanitë, përkushtimit dhe angazhimit në procese dhe qasjes ndaj tolerancës zero ndaj korrupsionit që ishin indikatorë të reduktimit të investimeve në vitet e kaluara.
“Në këtë periudhë u shënua rritje neto mbi bazën e borxhit të kompanive i cili në vitet e mëparshme mund të vihej re si fluks dalës. Kjo hyrje kap vlerën e 219 milionë eurove. Gjithashtu kemi një hyrje të bazuar në vet kapitalin prej 39.9 milionë euro dhe një fitim të riinvestuar prej 22 milionë euro”, ka thënë Miteva.
Ajo tha se për vetëm pak muaj Qeveria arriti të bëjë marrëveshje me shumë investitorë dhe si shembull e përmend “Alkazar enerxhi” e cila do të ndërtojë park me erë me 55 turbina me erë në hapësirën ndërmjet tri komunave – Shtip, Karbinci dhe Radovish, ndërsa gjatë ndërtimit pritet të hapen 630 vende të reja pune. Ajo përmendi edhe “Epsotek”, investimin e ri gjermano-belg prej 20 milionë euro që do të hapë 110 vende të reja pune, investimin e ri të “Kostal” prej 45 milionë euro me 250 vende të reja pune. Ajo bëri të ditur se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për tërheqjen e investimeve të reja të huaja dhe shtoi se në periudhën e ardhshme priten shumë investime të reja.
“Kemi investuar edhe në kompanitë vendore përmes linjës kreditore prej 250 milion euro. Të gjitha këto politika ekonomike do të sjellin rritje të shpejtë, rritje të prodhimit dhe standard më të mirë të jetesës së qytetarëve”, theksoi Miteva.