Me vendim të Prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të gjithë prokurorët publikë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot janë duke kryer kontroll në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
“Paraprakisht, sipas kompetencave të Prokurorisë Publike të Republikës, është kryer kontroll në të gjitha prokuroritë më të larta publike në shtet.
Kontrolli kryhet në pajtim me nenin 21 të Ligjit për Prokurorinë Publike dhe Rregulloren për mbikëqyrjen e punës dhe veprimeve të prokurorive publike të miratuar nga Këshilli i Prokurorëve Publikë”, theksohet në kumtesën e Prokurorisë.
Nga atje theksojnë se deri në fund të vitit do të bëhet mbikëqyrje edhe mbi veprimet e Departamentit për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Zyrës për Lidhje me Eurodrejtësinë në Prokurorinë Republikane.