Debati për Propozim-buxhetin për vitin 2025 do të fillojë në seancën e caktuar për 10 dhjetor. Siç informojnë nga Kuvendi, propozim-buxheti do të jetë një nga pikat e rendit të ditës të seancës së 22-të, në të cilën duhet të miratohet nevoja për sjelljen e projektligjit për zbatimin e buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025.
Në bazë të nenit 193 të Rregullores së Kuvendit, pas përfundimit të debatit për amendamentet, projektbuxheti i kthehet Qeverisë, e cila përgatit draftin shtesë të buxhetit.
Propozimi i ndryshuar i buxhetit paraqet një tekst të ri integral në të cilin Qeveria ka inkorporuar amendamentet me të cilat është pajtuar dhe ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme në propozim-buxhetin.
Të hyrat e përgjithshme në Propozim Buxhetin janë planifikuar në nivelin prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivelin prej 400,2 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është projektuar në vlerë absolute prej 41 350 milionë denarë ose në nivel prej 4 për qind nga BPV-ja e planifikuar.
Inflacioni pritet të ulet në nivelin 2.2 për qind si rezultat i stabilizimit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe të energjisë në tregun ndërkombëtar, ngadalësimit të inflacionit të huaj efektiv dhe presionit më të moderuar të inflacionit bazë.
Eksportet pritet të rriten me 4.2 për qind dhe importet me 4.4 për qind, si rezultat i pritjeve për stabilizim gradual të mjedisit ndërkombëtar dhe rritjes së kërkesës së jashtme.