Një nga nismat më të rëndësishme për vetëqeverisjen lokale është mundësia për deklarim në referendum për revokimin e kryetarëve të komunave, që do ta rrisë përgjegjësinë e liderëve lokalë dhe do të mundësojë kontroll më të madh nga ana e qytetarëve, deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski.
Perinski, në një emision në TV Alfa, ku ishte mysafir theksoi se kjo zgjidhje ishte e pranishme edhe në Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale nga viti 1995, dhe tani shqyrtohet përsëri si mundësi.
“Nisma kryesore për këtë ndryshim buron nga pakënaqësia e shprehur e qytetarëve ndaj disa kryetarëve aktualë. Ne besojmë se duhet t’u japim mundësi qytetarëve që t’i revokojnë kryetarët e komunave dhe kjo është vendosur edhe në ligjin e kaluar”, tha ai.
Perinski paralajmëroi reforma serioze në vetëqeverisjen lokale dhe zhvillimin rajonal, duke theksuar se vendi po përgatitet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në kuadër të reformave, janë planifikuar ndryshime në Ligjin për vetëqeverisje lokale, të cilat do të mundësojnë transparencë më të madhe dhe pjesëmarrje të qytetarëve në krijimin e buxheteve lokale.
Procesi i ndryshimeve të Ligjit për vetëqeverisje lokale tashmë ka filluar me mbështetje të UNDP-së, ndërsa në të marrin pjesë si ekspertë vendorë, ashtu edhe ekspertë ndërkombëtarë.