Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve për një datë të pacaktuar. Këtë seancë e kanë bojkotuar gjykatësit shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari.
Anëtar i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, Osman Kadriu në “Info Plus” , ka thënë se ajo që pritej edhe ndodhi. Ai ka theksuar se atë që e premtuan gjykatësit shqiptarë edhe e bënë.
“Me vet faktin që ne nuk morëm pjesë në seancën gjyqësore, e bojkotuam atë për dy arsye shumë të rëndësishme. Rrethanë lehtësuese për ne si dy shqiptarë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese ishte bashkimi edhe i Fatmir Sejdiu, gjykatës i përkatësisë turke. U bëmë tre gjykatës të cilët abstenuam prej kësaj mbledhje”, ka thënë ai.
Kadriu ka thënë se nuk ka shanse teorike të abrogohet ligji për gjuhët.
“Kemi pasur qëndrime shumë të qarta si gjykatës shqiptarë dhe profesorë të së drejtës, se çështja e gjuhës shqipe është një e drejtë kushtetuese të cilën e garanton Kushtetuta e vendit, si akti më i lartë juridik dhe politik në vend”, ka thënë ai.
Sipas tij, kontradikta e radhës ishte goditja të kontestohet ligji, kurse në pyetje është tendenca e abrogimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
“ Gjuhen shqipe e garanton Kushtetuta, kurse ligjdhënësi me ligj nuk ka assesi mundësi juridike të vendos ndonjë të drejtë, ose të abrogon ndonjë të drejtë. Në rastin konkret ligjdhënësi konform normës kushtetuese ka qenë i obliguar të sjellë ligj për krijimin e kushteve dhe rrethanave që gjuha shqipe të zbatohet konform kushtetutës në nivel shtetëror në të gjitha institucionet. Kjo ishte rrethana e parë që ne e mbrojtëm se nuk mundet Gjykata Kushtetues të abrogojë një të drejtë e cila garantohet nga Kushtetuta. Por, ja ndodhi të kishte inspirata të tilla që të abrogohet një e drejtë .Kjo është e pakuptimtë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, subjekti politik shqiptar i përfaqësuar në institucionet e Maqedonisë ka për detyrë të punojë në këtë drejtim.
“Ne kemi dhënë sugjerime konkrete që nëse ka nevojë të përmirësohet teksti i ligjit duke parashikuar edhe mundësinë që të hiqet ky problem njëherë e përgjithmonë. Të intervenohet nëse ka nevojë edhe në Kushtetutën e vendit”, ka theksuar Kadriu..
Ai ka thënë se deri tani Gjykata Kushtetuese me mbivotim ka abroguar dy të drejta kushtetuese të shqiptuarve në Maqedoninë e Veriut.
“ Miratuar me shumicën e gjyqtarëve të bllokut maqedonas u abrogua e drejta e shqiptuarve për përfaqësim adekuat në institucionet e shtetit dhe e drejta e deklarimit të shqiptarëve në librat amëz për përkatësinë e tyre nacionale”, ka thënë ai.
Kadriu ka theksuar se qëndrimi i gjykatësve shqiptarë është i palëkundur dhe i pandryshuar.
“Ne e kemi njoftuar opinionin se ne gjykatësit shqiptarë kemi qenë të mbivotuar për çështjet nacionale shqiptarëve”, ka theksuar ai.