Gjykata e Apelit i ka pranuar ankesat e të akuzuarve dhe e ka shfuqizuar vendimin e shkallës së parë për rastin “Besa Trans”, me të cilin pronari Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burg.
Lënda, siç njofton “Alsat” do të fillojë nga e para në Gjykatën Penale, ku në bankën e të akuzuarve do të ulet sërish Haxhiu dhe përfaqësuesi i subjektit juridik “Besa Trans”.
Lënda, nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me shkaqet e aksidentit të autobusit të “Besa Trans” më 23 nëntor të vitit 2021 në Bullgari, ku mbetën të vdekur 45 persona, por me falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit të aksidentuar.
Sipas vendimit të shkallës së parë, e cila bazohej në akuzën e Prokurorisë, Haxhiu, përmes shoferëve që drejtonin autobusin ka përdorur certifikatë licence të rrejshme, që nuk e ka lëshuar Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me të njëjtën, mbi 20 herë ka kaluar kufirin e shtetit. Megjithatë, mbrojtja ka mohuar se ka bërë falsifikim të certifikatës së licencës.
Ata, insistojnë në formulimin se për të pasur falsifikim, duhet që dikush të krijojë një dokument të rrejshëm, që sipas tyre në këtë rast, nuk ka ndodhur. Megjithatë, Prokuroria ka deklaruar se provat kanë dëshmuar se autobusi i aksidentuar i kompanisë Besa Trans, në kufi e ka përdorur licencën e përgjithshme, e cila ka të bëjë vetëm me funksionimin e subjektit, në vend të licencës së posaçme. Gjykimi në shkallën e parë për këtë lëndë ka filluar më 15 nëntor të vitit 2022.