Funksionari i BDI-së Artan Grubi i cili më 9 dhjetor u fut në Listën e Zezë të SHBA-së për shkak se ka pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore kundër Sasho Mijallkovit, ka dhënë dorëheqje nga funksionet partiake.
Në një letër të publikuar në Facebook, Grubi thotë se vendimi është personal dhe në shërbim të së mirës së përbashkët. Pavarësisht vendimit të Departamentit të Shtetit Amerikan, Grubi, thotë se është i pastër si loti, ndërkaq tërheqja edhe pse e vështirë, është për të mos qenë barrë politike.
Krahas kësaj, arsye është edhe për të ruajtur familjen dhe integritetin e tij personal dhe politik, por edhe për të mbështetur vazhdimësinë e kryetarit të partisë Ali Ahmeti. Për fund, Grubi lë amanet që të besohet rruga e Ahmetit, ndërkaq ai thotë se do të mbetet gjithmonë i përkushtuar ndaj vlerave të partisë dhe do të jetë në krah të tyre, si qytetar dhe si mbështetës i së mirës së përbashkët.