Koalicioni VLEN dënon ashpër retorikën nxitëse dhe polarizuese të cilën vazhdon ta përdorë BDI, e që, siç thonë, ka për qëllim të vetëm të mbulojë skandalet korruptive.
Sipas VLEN, është dëshpëruese për opinionin vendor por sidomos për partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë – SHBA, NATO, BE, OSBE, që një parti politike e cila që nga themelimi ka promovuar pajtimin, stabilitetin, tejkalimin e ndasive dhe integrimin evropian, sot është kthyer në organizatë parapolitike nxitëse të konflikteve, të mosdurimit etnik, të shpërfilljes së institucioneve dhe shkeljes së ligjit.
“VLEN pyet publikisht se cila është fytyra e vërtetë e BDI-së? Ajo e politikave të moderuara dhe tolerancës, apo kjo e sotmja, e kërcënimeve, e urrejtjes, dhe çorroditjes së plotë shkaku i humbjes së pushtetit?
A është BDI-ja partia e cila proklamonte se “Maqedonia është po aq e shqiptarëve sa edhe e maqedonasve”, ose është BDI-ja kjo e sotmja që urren, lufton dhe tenton të shkelë ndaj çdokujt që përpiqet t’i tregojë se edhe opozita ka rol të rëndësishëm në shoqëritë demokratike?”, thuhet në reagimin e VLEN.