SPB Tetovë: Për gjashtë muaj, 80 kallëzime penale për drogë dhe armë në rajonin e Pollogut

Maqedonia

SPB Tetovë: Për gjashtë muaj, 80 kallëzime penale për drogë dhe armë në rajonin e Pollogut

Më: 15 dhjetor 2024 Në ora: 21:00
Foto ilustrim

Për vetëm gjashtë muaj, vetëm në rajonin e Pollogut janë ngritur 59 kallëzime penale kundër 80 personave. Nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës thonë se gjatë kësaj periudhe janë paraqitur 98 kërkesa për inicim të procedurës për kundërvajtje ndaj 130 personave të cilëve u është gjetur dhe konfiskuar kokainë, marihuanë dhe heroinë. Përveç narkotikëve, ka pasur denoncime edhe për armë dhe mjete shpërthyese. Për këtë në 6 muajt e fundit SPB-Tetovë ka paraqitur 7 kallëzime penale kundër 10 autorëve për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale për “prodhim, mbajtje dhe tregtim të paautorizuar të armëve ose lëndëve shpërthyese”.

Në procedurë penale, janë gjetur dhe sekuestruar një karabinë gjuetie, katër pushkë gjuetie, dy pistoleta, 126 copë municione, dy granata dore, dy pushkë ajri, dy predha, një thërrmues baroti, dy dylbi optike, 91 fishekë, 78 projektilë plumbash, një qese me barot, fishekë, një shok-bombë dhe 3047 fishekzjarrë”, thonë nga SPB-Tetovë.

Rasti i fundit ishte ai i javës së kaluar, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e një 29 vjeçari në Debresh të Gostivarit, përveç sasisë së konsiderueshme të drogës që i është gjetur e gatshme, nuk kanë munguar edhe rrënjët e mbjella të kanabisit që i ka kultivuar vetë.

I është gjetur dhe konfiskuar një sasi e konsiderueshme e marihuanës dhe një peshore digjitale, si një saksi e mbjellë me rrënjë të kanabis sativës. Po ashtu është gjetur edhe një armë e kalibrit dhe modelit të panjohur. Të njëjtat janë konfiskuar dhe mbajtur për procedura të mëtejme dhe ndaj tij do iniciohet edhe parashtresa përkatëse”, theksoi Fatmir Rexhepi – zëdhënës i SPB-Tetovë.

Ditëve të fundit, policia e Tetovës është vënë në gjah pas shitësve të fishekzjarrëve. Zëdhënësi i SPB-së së Tetovës thotë se shitësit apo përdoruesit, varësisht nga dëmi, mund të dënohet edhe deri në tre vjet burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat