Deri në fund të vitit do të marrin vendime mbi 1000 të punësuar me kontratë në vepër nëpër institucionet shëndetësore, por ky numër nuk e përmbush mungesën e personelit mjekësor, veçanërisht të atij me arsim të mesëm.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se këto kanë qenë kapacitetet e qeverisë brenda këtyre gjashtë muajve, ndërsa për vitin e ardhshme premtoi edhe punësime të tjera.
I pyetur nëse do të ndryshohen ushtruesit e detyrës drejtor nëpër klinikat universitare të shtetit, apo do të mbeten të njëjtit, pas skadimit të afatit gjashtë mujor, Taravari tha se si ministri janë duke bërë analiza për performancën e drejtorëve gjatë këtyre muajve, dhe ato që nuk kanë udhëhequr si duhet do të ndërrohen.
“Mungesë të personelit mjekësor, veçanërisht të personelit mjekësor me arsim të mesëm ka gjithkund… për këtë qeveria tani më ka marrë hapa konkret, ndërsa unë shpresoj që deri në fund të këtij viti do të shpallet konkursi, në të cilën do të pranohen në punë mbi 1000 persona të personelit mjekësor me arsim të mesëm, këtu nuk nënkuptoj vetëm motra medicinale, por edhe ndihmës infermier, pra ata që ishin me kontratë në vepër , megjithatë përsëri është pak, përsëri do të kemi nevojë”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.