Ministria e Shëndetësisë njofton se Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, në përputhje me kompetencat e veta, do të bëjë kontroll të jashtëzakonshëm në lidhje me rastin e foshnjës së vdekur shtatë muajshe në Klinikën e Fëmijëve në Shkup.
“Lidhur me rastin e foshnjës së ndjerë shtatë muajshe, e sjellë mbrëmë në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, nga Klinika informojnë se është pranuar nën dyshimin e sindromës së rëndë me ecuri progresive, e cila ka shkaktuar dëmtime në disa organe, fatkeqësisht gjendja e foshnjës është përkeqësuar me gjithë përpjekjet maksimale të stafit mjekësor, pas së cilës ka pasur përkeqësim të shpejtë të gjendjes. Pritet të kryhet autopsia, pas së cilës do të përcaktohen shkaqet e sakta të vdekjes”, sqarojnë nga Ministria në një deklaratë për opinionin.
Ndryshe, foshnja shtatë muajshe ka ndërruar jetë mbrëmë në terapi intensive në Klinikën e Fëmijëve në Shkup.
Drejtori i Klinikës, Rexhep Memedi, tha se foshnja ka pasur problem gjenetik dhe i janë dëmtuar disa organe.
Sipas Memedit, janë respektuar të gjitha procedurat dhe trajtimet dhe nuk ka pasur asnjë gabim mjekësor.