Ngritet aktakuzë për vrasjen afër qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup

Maqedonia

Ngritet aktakuzë për vrasjen afër qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 14:56
Foto ilustrim

Prokuroria Themelore Publike njofton se ka parashtruar aktakuzë ndaj një personi, që dyshohet për vrasjen e Vasil Eftimov në afërsi të Qendrës Tregtare “Mavrovasja” më 20 gusht të këtij viti.

Nga Prokuroria njoftojnë se i njëjti akuzohet për vrasje, tentim vrasje si dhe prodhim, mbajtje, tregtim dhe shpërndarje të armëve dhe lëndëve shpërthyese pa leje. Hetuesia kërkon nga gjykata që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

“I akuzuari, më 20 gusht, pas Qendrës Tregtare “Mavrovasja” në Shkup, me qëllim të përfitimeve personale, ka qëlluar me armë zjarri – pistoletë dhe ka vrarë viktimën Vasil Eftimov, pastaj e ka kërcënuar gruan e tij me armën dhe ia ka marrë çantën që ajo po e mbante në shpatull, si dhe një kuti me ngjyra të ndryshme të mbuluar me një tendë, në të cilën kishte mjete të ndryshme për punë dore që viktimat i kishin pasur në automjet. Pas kësaj, ai ka ikur me një automjet me targa belge në drejtim të Gazi Babës”.

“Më vonë, gjatë të njëjtës ditë, kur efektivët e policisë e kanë tentuar ta ndalojnë të dyshuarin, së bashku me një person tjetër në një automjet në rrugën “Stojna Stefkovska” në Shkup, ai ka dalë nga dera e pasagjerit dhe ka qëlluar me 3 plumba në drejtim të katër policëve për t’i vrarë ata. Policët, në mbrojtje të vetes, kanë qëlluar disa plumba paralajmërues në ajër me armët zyrtare dhe kanë arritur ta kapin të dyshuarin, i cili pasi ka hedhur pistoletën, është arrestuar”.

“I dyshuari do të mbahet përgjegjës edhe për mbajtjen e paautorizuar të armës me të cilën ka kryer veprën – një pistoletë gjysmë automatike markë “GLOCK 17″, pa numër fabrike, kalibër 9 mm, të cilën e ka mbajtur pa leje”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat