BDI për personat në “listën e zezë”: Kemi qenë të angazhuar për llogaridhënie dhe transparencë

Maqedonia

BDI për personat në “listën e zezë”: Kemi qenë të angazhuar për llogaridhënie dhe transparencë

Më: 19 dhjetor 2024 Në ora: 10:01
BDI

Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media është sqaruar në lidhje me situatën e fundit, gjegjësisht vendosjen e Artan Grubit në “listën e zezë” amerikane. Nga kjo parti thonë se gjithmonë kanë qenë të angazhuar për llogaridhënie dhe transparencë dhe për këtë arsye kanë propozuan një ligj progresiv që vendoste kufizime të rrepta ndaj individëve të shpallur në “listën e zezë” të SHBA-së për korrupsion.

Nga BDI thonë se ky ligj u bllokua në Kuvend nga OBRM-PDUKM dhe VLEN dhe se ata po përpiqen ta shfrytëzojnë situatën e fundit për përfitime personale

“BDI-ja ka qenë gjithmonë e angazhuar për llogaridhënie dhe transparencë në të gjitha nivelet e jetës publike. Pikërisht për këtë arsye, gjatë udhëheqjes sonë në qeveri deri në maj të këtij viti, ministrat tanë propozuan një ligj progresiv që vendoste kufizime të rrepta ndaj individëve të shpallur në “listën e zezë” të SHBA-së për korrupsion. Ky ligj synonte të ndalonte këta individë të merrnin pjesë në zgjedhje dhe në proceset e prokurimit publik – një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e proceseve demokratike dhe besimit publik”.

“Megjithatë, ngjarjet e fundit kanë sjellë një valë sulmesh politike ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ku disa aktorë politikë po përpiqen të shfrytëzojnë situatën për përfitime të tyre. Është e rëndësishme të qartësojmë të vërtetën me transparencë dhe vendosmëri. Pavarësisht këtij angazhimi të qartë për llogaridhënie, propozimi i ligjit u bllokua në Kuvend nga OBRM-PDUKM dhe VLEN”.

“Pikërisht këta aktorë janë sot në krye të sulmeve ndaj BDI-së, duke na akuzuar për mangësi në fushat ku ne kemi qenë të parët që kemi propozuar reforma konkrete. Kjo hipokrizi është e dukshme: ata që penguan miratimin e masave më të rrepta janë të njëjtët që sot pretendojnë të kenë epërsi morale. Veprimet e tyre në Kuvend kundërshtojnë retorikën e tyre, duke ngritur pyetje serioze për besueshmërinë dhe motivet e tyre”.

“BDI-ja nuk është e përsosur dhe as nuk pretendon të jetë. Ne nxjerrim mësime nga sfidat me të cilat përballemi dhe përpiqemi të përmirësohemi në shërbim të qytetarëve. Megjithatë, ne refuzojmë fushatat politike të motivuara nga standarde të dyfishta. E kaluara jonë flet vetë: ndërsa të tjerët kanë zgjedhur të pengojnë reformat, ne kemi qenë iniciatorë dhe mbrojtës të tyre”, thonë nga BDI.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat