VLEN në një kumtesë për media thekson se pas parashtrimit te amandamenteve nga ana e tyre, qeveria e tërhoqi Ligjin për arsim të mesëm. Nga VLEN thonë se “u dëshmua edhe njëherë se ata janë faktori kyç për mbrojtjen e interesave shqiptare”.
“Ne vepruam ashtu si na ka hije. Pa zë dhe pa zhurmë. Në lexim të parë dhamë porosinë duke mos e votuar aspak, ndërsa kur duhej parashtruam amandamente. Si rezultat kemi tërheqjen e ligjit nga ana e qeverisë. Intonimi shtetëror nuk do të bëhet në shkollat e vendit, por në Veles po, sepse BDI ka votuar pro intonimit të himnit maqedonas në atë komunë”.
“VLEN është garanca se nuk do të kalojnë ligje të njëanshme sikur që ka ndodhur me BDI-në në të kaluarën”, thonë nga VLEN.
Ndryshe, në Ligjin për arsim të mesëm që u propozua së fundi, parashihej që të intonohej himni maqedonas nga nxënësit në çdo fillim dhe përfundim të vitit shkollor. Ky propozim-ligj shkaktoi përplasje në mes partive në vend.