“Siç mund ta shihnim sot në raftet e marketeve janë shënuar produkte me çmime më të ulëta që janë pjesë e Shportës së Vitit të Ri. Për disa nga produktet, ulja është më shumë se 10%. Kam gjithashtu kënaqësinë të them se numri i produkteve të përfshira në Shportën e Vitit të Ri po rritet vazhdimisht dhe ka arritur në 1068, ndërsa po rritet gjithashtu edhe numri i marketeve dhe shpërndarësve të përfshirë në këtë aksion”.
Këtë e tha ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, i cili së bashku me zëvendësin e tij Marjan Risteski dhe Drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkoski, vizituan disa markete.
Durmishi tha se lista e produkteve nuk është e mbyllur dhe se pret që më shumë produkte të vendosen në këtë listë.
“Kam kënaqësinë që në një kohë të shkurtër arritëm të realizojmë këtë aksion që presim të japë rezultat më të madh sesa Shporta e vjeshtës. Në Shportën e vjeshtës ishin përfshirë 73 grupe produktesh, ndërsa tani ka 1098 produkte, presim që efekti i shportës së Vitit të Ri të jetë më i madh”, potencoi Durmishi.
Ndërsa Stojkoski tha se Inspektorati i Tregut është në terren dhe kontrollon nëse respektohet aksioni siç është propozuar nga vetë prodhuesit, shpërndarësit dhe tregtarët.
“Në këto pesë ditë, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka regjistruar vërejtje të vogla për sa i përket shënimeve dhe korrigjimeve të vogla të çmimeve në dy ose tre subjekte tregtare. Nuk janë vërejtur parregullsi të përmasave më të mëdha. Mund të konkludoj se të gjithë faktorët në këtë proces respektojnë atë që është dakorduar”.
“Monitorimi që e zbatoi ISHT para fillimit të aksionit tregoi se ajo që është dakorduar po respektohet seriozisht dhe tregtarët e tregojnë në vepër përgjegjësinë shoqërore. Edhe sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, si Inspektorat i Tregut, kemi të drejtë dhe kontrollojmë çmimin më të ulët në 30 ditët e fundit, respektivisht në çmimin më të ulët së paku 10 për qind ulje. Jemi duke e kontrolluar këtë, jemi në rrjedhë dhe nuk kemi ndonjë dallim drastik”, tha drejtori Stojkoski.