Dimitrieska-Koçoska: Janë siguruar 500 milionë euro me kushte të favorshme për shlyerjen e plotë dhe në kohë të euroobligacionit në muajin janar

Maqedonia

Dimitrieska-Koçoska: Janë siguruar 500 milionë euro me kushte të favorshme për shlyerjen e plotë dhe në kohë të euroobligacionit në muajin janar

Më: 20 dhjetor 2024 Në ora: 18:27
Gordana Dimitrieska-Koçoska

Pesëqind milionë euro mjete të favorshme janë siguruar nga Banka Eksport-Import e Hungarisë për servisimin e rregullt dhe të plotë të detyrimeve që do të maturojnë në muajin janar të vitit 2025, në bazë të euroobligacionit të emetuar në vitin 2018, njoftojnë nga Ministria e Financave.

Sot, në Budapest, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, nënshkroi Marrëveshjen e huasë me Bankën Eksport-Import të Hungarisë.

“Sot, në Budapest, nënshkruam Marrëveshjen e huasë nga Banka Eksport-Import e Hungarisë, nga e cila po sigurojmë 500 milionë euro, mjete të tjera të domosdoshme për shlyerjen e borxhit të euroobligacionit të emetuar në vitin 2018. Me këtë hua sigurojmë kushte të favorshme për shlyerjen e detyrimeve që maturojnë në muajin janar. Huaja sipas kësaj marrëveshjeje u aprovua me afat shlyerjeje 15 vjet, duke përfshirë periudhën grejs prej 3 vitesh dhe normën e interesit prej 3.25%, e cila është vlerë më e ulët se interesi nëse do të vendosnim të emetonim euroobligacion të ri, për të cilin, interesi është mbi 6% dhe në këtë mënyrë bëhen kursime në buxhet.

Gjithashtu, kursimet bëhen edhe mbi bazën e shpenzimeve të provizioneve, të cilat për këtë hua janë rreth 50 mijë euro, përkundër shpenzimve për emetimin e euroobligacionit që arritën edhe për mbi 1 milion euro”, nënvizoi ministrja e Financave.

Ajo theksoi se është "shumë e rëndësishme që huaja është me kushtet e njëjta, ashtu si dhe huaja e parë për të cilën marrëveshja u nënshkrua në muajin tetor dhe shprehu mirënjohje për Qeverinë hungareze për përkrahjen e ofruar”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat