Pas shkatërrimit të organizatës terroriste siç e cilësoi MPB-ja gjatë aksionit të disa ditëve më parë në rajonin e Strugës dhe Gostivar, ekspertët e sigurisë thonë se garanci se është shmangur rreziku nga grupet e tilla nuk mund të japë askush. Organizata e shkatërruar funksiononte me ideologji të ISIS-it.
“Por në përgjithësi askush nuk mund të garantojë se në shtet nuk mund të ndodhë çfarëdo. Garanci të tilla nuk ka askund në botë, e as tek ne. Por dua të potencoj se Maqedonia është shtet i qetë, stabil dhe funksional. Roli i partive politike këtu është kyçe. Nëse ata nxisim etnonacionalizëm kjo mund të krijojë kriza në shtet”, tha Pavle Trajanov – Koordinator i Komitetit Nacional për luftë kundër terrorizmit.
Në shtetet islamike, nga Maqedonia kanë shkuar 155 persona. Prej tyre, 39 janë vrarë, 102 janë kthyer ndërsa edhe katër persona vazhdojnë të qëndrojnë atje. Nga të kthyerit, siç njofton Trajanov, për 76 prej tyre ka pasur procedurë trajtimi për ri integrimin e tyre në shoqëri, disa të suksesshme e disa pa sukses. Problem ngelet trajtimi i posaçëm i të burgosurve, që për momentin shënon 11 persona.
“Ata kanë trajtim të njëjtë si të gjithë të burgosurit të tjerë. Ka probleme rreth vendosjes sepse ka gjasa që ata të radikalizojnë edhe të tjerët që janë në burgje, nuk ka kushte të posaçme. Me rëndësi është që 6 apo 9 muaj para se t’u përfundojë dënimi, të bëhet vlerësim se në çfarë mënyre të riintegrohen në shoqëri. Ka ekipe lokale në komuna të cilat janë të kyçura dhe numër i madh i institucioneve. Mbajnë llogari nëse duhet të vazhdojë shkollimin, për probleme sociale apo mbështetje shëndetësore të familjes së tij”, shtoi Pavle Trajanov – Koordinues i Komitetit Nacional për luftë kundër terrorizmit.
Rol të rëndësishëm kanë edhe Bashkësitë Fetare në Maqedoni. Komiteti Nacional për menaxhim me ekstremizmin e dhunshëm dhe luftë kundër terrorizmit, përbëhet nga 22 institucione mes të cilave MPB, ASK, Agjencia e Zbulimit e të tjera. Të gjitha këto bashkëpunojnë me të gjitha shtetet e Ballkanit por edhe me shërbimet e fuqishme sekrete të cilat disponojnë me më tepër informacione.
Gjatë aksionit të disa ditëve më parë u arrestuan 4 persona. Një 21-vjeçar nga Gostivari kishte krijuar dhe koordinuar organizatën terroriste. Organizata ka funksionuar me ideologji të ISIS-it ndërsa ka pasur për qëllim që të kryejë akte terroriste mbi civilët në objekte publike në Maqedoni./Alsat.mk